Operatori i teleprompterit të Shtëpisë së Bardhë vuri bast për

0%

Një asistent teknik i presidentit Donald Trump i ka fituar rreth 100 mijë dollarë, sipas tregut të parashikimeve, i cili e sinjalizoi qeverinë federale për veprimin, raporton gazeta “The New York Times” .

Një operator teleprompteri në Shtëpinë e Bardhë ka përdorur detyrën e tij që të fitonte rreth 100 mijë dollarë duke vënë baste në tregun e parashikimeve “Kalshi” rreth asaj çfarë do të thoshte presidenti amerikan në fjalimet e tij, ka njoftuar kompania.

Kjo ishte vetëm akuza e fundit se dikush kishte përdorur informacione të brendshme që të fitonte në tregun e parashikimeve, si “Kalshi” dhe “Polymarket”, që janë rritur rrufeshëm dhe janë transformuar në fenomene kulturore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në këtë rast, “Kalshi” ka njoftuar se Gabriel Perez, asistent teknik i presidentit Trump, kishte lidhur mbi fjalë të zakonshme që do të shfaqeshin në fjalimet e presidentit, siç janë emrat e vendeve dhe shprehjet ekonomike.

Në mars, kur sistemet e mbikëqyrjes së “Kalshit” sinjalizuan disa nga tregtimet e Perezit, kompania kishte ngrirë fondet në llogarinë e tij dhe ia referoi çështjen Komisionit të Tregtimit të Kontratave të Ardhshme të Mallrave, agjencisë federale që rregullon tregjet e parashikimeve.

Perez është në diskutime me rregullatorët federalë që të merret vesh për akuzat se përdori njohuritë e brendshme për fjalimet e presidentit që të vinte baste dhe është treguar bashkëpunues, ka thënë person me informacione për bisedimet.

“Ne e kemi akuzuar këtë individ dhe kemi ndihmuar rregullatorët në këtë çështje dhe kemi ofruar provat që kemi mbledhur, siç bëjmë në çdo referim” – ka thënë Robert DeNault, shefi i zbatimit të rregullave të “Kalshit”, në një deklaratë me email, duke iu referuar rregullave të kompanisë kundër tregtimit të brendshëm.

Një zëdhënëse e Komisionit të Tregtimit të Kontratave të Ardhshme të Mallrave ka theksuar se agjencia nuk mund “të konfirmojë ose të mohojë hetimin”. Gazeta njujorkeze nuk ia ka dalë që ta kontaktojë Perezin menjëherë për koment. “ABC News” ka raportuar më parë incidentin.

Tregjet e parashikimeve ua lejojnë njerëzve të vënë baste për gjithçka, nga zgjedhjet shtetërore te ndeshjet e Botërorit e deri te kush do të fitojë në “Love Island”. Kompanitë kanë tërhequr miliarda dollarë në tregti, por popullariteti i tyre ka ngritur shqetësime nëse shkelin ligjet shtetërore të lojërave të fatit dhe po manipulohen nga njerëzit me informacion të brendshëm.

Në prill, tre kandidatë politikë u kapën derisa po mundoheshin të vinin baste në garat e tyre zgjedhore. Në qershor, autoritetet federale thanë se po hetonin nëse ish-kongresisti George Santos kishte vënë bast se do të merrte pjesë në fjalimin e Trumpit adresuar kombit.

Në mars, Shtëpia e Bardhë paralajmëroi stafin kundër përdorimit të informacionit të brendshëm për të vënë baste në tregjet e parashikimit, vetëm disa javë para se prokurorët federalë ta akuzonin një ushtar të Forcave Speciale të Ushtrisë për përdorimin e informacionit të klasifikuar për të vënë bast në “Polymarket” mbi kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.

Në konferencë për shtyp të enjten, Karoline Leavitt, sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se kishte folur me presidentin Trump lidhur me raportet se operatori i tij i teleprompterit kishte fituar para nga fjalimet e tij në tregjet e parashikimit dhe se ai e kishte quajtur “turp” veprimin. “Ky individ nuk do të jetë më këtu”, ka thënë ajo. “Ky ishte vendim i presidentit”.

Leavitt është pyetur njashtu nëse anëtarë të tjerë të stafit të Shtëpisë së Bardhë dyshohen për përdorimin e informacionit të brendshëm që të fitojnë para në tregjet e parashikimit. “Me sa di unë, jo”, ka theksuar ajo. Ajo ka shtuar se “ekzistojnë kërkesa shumë të rrepta etike nga të gjithë stafi dhe zyrtarët këtu në Shtëpinë e Bardhë” kundër sjelljes së tillë.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo