Qeveria e Ishujve Falkland ka reaguar zyrtarisht pas pankartës së shfaqur nga lojtarët e Argjentinës në përfundim të gjysmëfinales së Botërorit 2026 kundër Anglisë, ku shkruhej “Las Malvinas son argentinas” (“Malvinat janë argjentinase”). Në deklaratën e publikuar, autoritetet e Falkland shprehën zhgënjimin e tyre për gjestin e futbollistëve argjentinas.
“Qeveria e Ishujve Falkland është e zhgënjyer, edhe pse fatkeqësisht jo e befasuar, që kombëtarja argjentinase e futbollit vendosi të njollosë fitoren në gjysmëfinalen e Botërorit të mbrëmshëm, një ndeshje që nuk kishte asnjë lidhje me Ishujt Falkland.” Deklarata kujton gjithashtu luftën e vitit 1982 mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Nuk është sekret për askënd se banorët e Ishujve Falkland ishin viktima të një pushtimi agresiv në vitin 1982, i cili la shumë njerëz të traumatizuar. Për këtë arsye, pankarta e shfaqur nga Argjentina ishte veçanërisht e pandjeshme për shumë banorë të ishujve.” Qeveria e Falkland theksoi se është kundër përfshirjes së politikës në sport.
“Politika jonë është e qartë: nuk duam që politika të futet në sport. Gjithashtu nuk duam që Ishujt Falkland dhe banorët e tyre të përdoren si mjete politike në debatet mes Anglisë dhe Argjentinës. Mirëpresim deklaratën mbështetëse të qeverisë britanike.” Në fund të deklaratës, autoritetet u bënë thirrje FIFA-s të respektojë rregulloret e saj.
“Siç theksoi ministri britanik i Tregtisë, Peter Kyle, një nga parimet themelore të Kupës së Botës është ndarja e politikës nga futbolli.
Shpresojmë që FIFA ta mbajë premtimin për ta lënë politikën jashtë sportit dhe të ndëshkojë çdo sjellje të tillë sipas rregullave të saj.” Ndërkohë, FIFA ka konfirmuar se po shqyrton rastin dhe Federata Argjentinase e Futbollit rrezikon masa disiplinore, që mund të variojnë nga një paralajmërim deri te gjoba për lojtarët e përfshirë.
Ky nuk do të ishte rasti i parë i sanksioneve për gjeste me mesazh politik. Në Botërorin 2018, futbollistët shqiptarët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri u gjobitën me nga 10 mijë franga zvicerane pasi festuan një gol të Zvicrës ndaj Serbisë duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.
Po ashtu, pas triumfit të Spanjës në Euro 2024, Álvaro Morata dhe Rodri u pezulluan me nga një ndeshje pasi gjatë festimeve brohoritën: “Gjibraltari është spanjoll”.
