Javën e ardhshme, nga 20 deri më 26 korrik, çmimet e derivateve pritet të rriten ndjeshëm, sipas Klubit të Automobilave të Portugalisë (ACP), derisa në përputhje me parashikimet nga Drejtoria e Përgjithshme për Energjinë dhe Gjeologjinë (DGEG), çmimi i naftës pritet të rritet me 13.5 centë dhe i benzinës me 6.5 centë për litër, ka raportuar të premten () Euronews .
Kjo nënkupton se javën e ardhshme nafta do t’u kushtojë konsumatorëve 1.988 euro për litër dhe benzina 1.980 euro për litër. ACP-ja ka shtuar se shifrat mesatare bazohen në “çmimet e lëndëve të para me mbylljen e tregjeve të enjten e kaluar”, por vëren se deri të premten mund të ketë ende luhatje në kuotat e naftës bruto dhe karburantit.
Lufta në Lindjen e Mesme, që përfshin SHBA-në, Izraelin dhe Iranin, vazhdon t’i rrisë çmimet dhe qeveria është zotuar të zbatojë ulje të jashtëzakonshme dhe të përkohshme të ISP-së (Taksa mbi Naftën dhe Produktet e Energjisë) saherë që një rritje prej më shumë se 10 centësh.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon 20% e tregtisë globale të naftës dhe gazit natyror, u mbyll fillimisht pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt, duke bërë që çmimet e naftës, plehrave dhe mallrave të tjera të rriteshin shumë përtej rajonit dhe duke i dhënë Iranit hapësirë të konsiderueshme për manovrim në negociata.
Gjatë kësaj jave u përshkallëzuan luftime ajrore ndërmjet dy palëve, duke i dhënë fund marrëveshjes së përkohshme për ndaljen e luftës kundër Iranit. Sipas gazetës “Expresso”, ministrja portugeze e Mjedisit dhe Energjisë, Maria Graça Carvalho, i ka dërguar të enjten kërkesë ERSE-së për hetimin e çmimeve të derivateve të tregtarëve pakicë që nga viti 2024.
Në letër, ministrja bën thirrje për “studim të detajuar të dy viteve të fundit – brenda 20 ditëve – për të shpjeguar pse rënia e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare zgjat kaq shumë për t’u transmetuar në çmimet në pompë”, raporton “Expresso”.
Ulja e TVSH-së për karburantet ka qenë objekt i ashpër debati, por ministrja e Financave, Miranda Sarmento, ka këmbëngulur gjatë debatit të së mërkurës se nuk do ta ndryshojë normën e taksës. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
