Irani ka njoftuar të premten, më , se ka kryer sulme të reja ndaj objekteve amerikane në Lindjen e Mesme, përfshirë sulmin e parë të drejtpërdrejtë në Siri, pas të gjashtës natë me radhë me sulme amerikane ndaj caqeve ushtarake iraniane, raporton Reuters .
Armëpushimi i arritur muajin e kaluar është shndërruar në sulme dhe kundërsulme të përditshme, ka ndalur me të madhe trafikun detar në Ngushticën jetike të Hormuzit dhe ka nxitur shqetësime të reja të investitorëve lidhur me pasojat për ekonominë globale të luftës që SHBA-ja dhe Izraeli e nisën në shkurt.
Ushtria amerikane ka njoftuar se ka mbyllur një natë tjetër sulmesh ndaj Iranit “për t’i degraduar më tej aftësitë ushtarake iraniane”, duke përfshirë Ishullin Qeshm dhe pranë Bandar Abbas, ku ndodhet porti më i madh i Iranit, si dhe objektet kryesore detare dhe të Gardës Revolucionare.
“Forcat amerikane, duke përfshirë avionë luftarakë, dronë ajrorë dhe anije luftarake, nisën municione precize që goditën dhjetëra caqe ushtarake iraniane, të tilla si vende mbikëqyrjeje bregdetare dhe të mbrojtjes ajrore, infrastrukturë logjistike ushtarake dhe kapacitete detare”- ka njoftuar Komanda Qendrore e SHBA-së.
Një civil u vra në një sulm amerikan në zonën Pasabandar pranë qytetit portual juglindor, Chabahar, ka raportuar agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve, Tasnim. Irani ka shkrepur raketa dhe dronë drejt bazave ushtarake amerikane në shtetet fqinje, përfshirë një bazë ajrore në Jordani.
Ushtria e Iranit ka njoftuar të premten në mëngjes, më , se ka sulmuar objektet amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt. Jehona të ngjashme me shpërthimet u dëgjuan në kryeqytetin e Katarit, Doha, sipas një dëshmitari, dhe Ministria e Brendshme ka raportuar se një fëmijë u plagos nga shrapnelat.
Media iraniane ka raportuar se pesë ura u goditën në rundin e fundit të sulmeve amerikane, si dhe stacioni i trenit në bregdetin Bandar Khamir dhe Aeroporti Iranshahr në Iranin juglindor. Shtatë persona u vranë në sulmet amerikane në urat në Bandar Khamir, qytet portual në Iranin jugor, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA.
Media shtetërore e Iranit ka raportuar se Garda Revolucionare ka sulmuar një qendër komande të operacioneve speciale amerikane në Al-Tanf të Sirisë në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e ushtarëve iranianë në Iranshahr. Reuters nuk mundi t’i verifikonte menjëherë raportet. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
