​FIFA emëron gjyqtarin e finales Spanjë-Argjentinë

0%

Slavko Vinqiq është emëruar nga FIFA për të drejtuar finalen e Kupës së Botës 2026 ndërmjet Spanjës dhe Argjentinës, e cila do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin “New York New Jersey”. Me këtë emërim, 46-vjeçari nga Maribori bëhet arbitri i parë slloven që gjykon një finale të Kupës së Botës dhe i 23-ti në histori që merr këtë përgjegjësi.

Vinqiq e përshkroi përzgjedhjen si një “ndear të jashtëzakonshëm”, duke thënë se realizon ëndrrën e çdo arbitri. Ai theksoi se ky sukses është fryt i punës së përbashkët me ekipin e tij të arbitrave, veçanërisht me ndihmësit Tomaž Klančnik dhe Andraž Kovačič, të cilëve u atribuoi një pjesë të madhe të meritave. Arbitri slloven ka një përvojë të pasur në arenën ndërkombëtare.

Ai ka drejtuar finalen e UEFA Europa League në vitin 2022, finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2024, si dhe ndeshje në Kampionatet Evropiane 2020 dhe 2024. Kjo është Kupa e tij e dytë e Botës, pasi ishte pjesë edhe e turneut në Katar më 2022. Në Botërorin 2026 ai ka gjykuar ndeshjet Brazil-Marok, Jordani-Algjeri dhe Meksikë-Ekuador.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kryetari i Komitetit të Arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, tha se përzgjedhja e Vinqiq u bazua kryesisht në paraqitjet e tij gjatë gjithë turneut. Sipas tij, performanca e vazhdueshme dhe cilësia e gjykimit ishin faktorët vendimtarë për emërimin në ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit.

Në finale, Vinčić do të ndihmohet nga Tomaž Klančnik dhe Andrazh Kovaqiq, ndërsa jordanezi Adham Makhadmeh do të jetë gjyqtari i katërt dhe Mohammad Al-Kalaf ndihmës rezervë. Në dhomën e VAR-it do të jetë gjermani Bastian Dankert, i asistuar nga kolumbiani Nicolás Gallo dhe Khamis Al Marri nga Katari.

Ndërkohë, FIFA ka emëruar venezuelasin Jesús Valenzuela për të drejtuar ndeshjen për vendin e tretë mes Francës dhe Anglisë, e cila do të zhvillohet të shtunën në Miami.

Burimi: Bota Sot