Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklasifikuar dokumentet për të cilat ka pohuar se tregonin ndërhyrjen kineze në zgjedhjet e SHBA-së, duke ringjallur sulmet e kahershme ndaj sigurisë së zgjedhjeve pavarësisht vlerësimit të inteligjencës amerikane që nuk gjeti prova se Pekini ndikoi presidencialet që i humbi më 2020, raporton Reuters .
Fjalimi 25-minutësh ka nënvizuar përpjekjen e Trumpit për ta kthyer sigurinë e zgjedhjeve në çështje qendrore politike para zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit, kur republikanët e tij do të mbrojnë shumicën e vogël në Kongres.
Trump i ka përdorur komentet për të ushtruar përsëri presion mbi republikanët në Kongres që të miratojnë legjislacionin që vendos kërkesa të reja për identifikimin dhe shtetësinë e votuesve, pavarësisht gjetjeve të hershme se mashtrimi i votuesve në zgjedhjet e SHBA-së është i rrallë. Projektligji ka ngecur në Senat mes kundërshtimit të ashpër demokrat.
Trump ka deklaruar se materiali i deklasifikuar do të zbulonte “dobësi tronditëse në infrastrukturën tonë zgjedhore”. Por shumë prej tyre dukeshin se tregonin të kundërtën, ose nuk kishin fare lidhje me infrastrukturën zgjedhore të SHBA-së.
Fjalimi u mbajt në një moment politik sfidues për Trumpin dhe republikanët, me vlerësimin e mbështetjes publike të rënduar nga lufta jopopullore e Iranit dhe çmimet e larta të energjisë.
Trump e ka përmendur shkurtimisht luftën në fillim, duke thënë se SHBA-ja po “fiton fuqishëm”, ndërsa renditi një sërë arritjesh të brendshme, përfshirë uljen e taksave dhe goditjen ndaj imigracionit, para se të kalonte te siguria e zgjedhjeve.
Presidenti ka thënë se po deklasifikonte informacione të ndjeshme që tregonin se Kina kishte marrë paligjshmërisht 220 milionë dosje votuesish amerikanë, duke përfshirë emra, adresa dhe të dhëna të tjera. Ai ka pohuar se anëtarët e komunitetit të inteligjencës amerikane fshehën qëllimisht informacione lidhur me shkallën e aktiviteteve të Kinës.
Një vlerësim i paklasifikuar i inteligjencës amerikane i vitit 2021 nuk kish gjetur indikacione se ndonjë aktor i huaj u përpoq, ose arriti të ndryshonte “ndonjë aspekt teknik” të votimit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke përfshirë regjistrimet e votuesve, fletëvotimet, tabelat ose rezultatet.
Ky vlerësim u krye nën drejtimin e John Ratcliffet, atëherë drejtor i inteligjencës kombëtare të Trumpit dhe tani drejtor i CIA-s.
Raporti ka spikatur njashtu se Kina ishte përpjekur të paktën që nga viti 2008 për të mbledhur informacione mbi votuesit amerikanë, opinionin publik, partitë politike, kandidatët dhe zyrtarët e lartë të qeverisë, me shumë gjasa duke synuar përdorimin e materialit për të parashikuar rezultatet e zgjedhjeve.
Dy persona të informuar me çështjen kanë thënë se të dhënat e votuesve amerikanë të marra nga Kina nuk ishin konfidenciale – dosjet e votuesve blihen rregullisht nga konsulentët politikë – dhe nuk mund të manipulohen.
Para fjalimit të Trumpit, disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë shprehur shqetësim se zbulimi i informacionit të Kinës mund të ishte i kurdisur, kanë thënë burime për Reutersin. Gjuha e ashpër e Trumpit për Kinën rrezikon të tronditë marrëdhënien që është stabilizuar pas luftës së kushtueshme tregtare të vitit të kaluar.
Trump shpreson të takohet në shtator me presidentin kinez, Xi Jinping, për përmirësimin e marrëdhënieve tregtare. Ministria e Jashtme e Kinës nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reutersit për koment për fjalimin e Trumpit.
Para fjalimit, Liu Chang, zëdhënës i Ambasadës kineze në Uashington, ka deklaruar: “Kina nuk ka ndërhyrë kurrë dhe nuk do të ndërhyjë kurrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
