Thirrja e klanorëve të Isa Mustafës, për mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm zgjedhor, me qëllimin e vetëm për ta shkarkuar kryetarin aktual Lumir Abdixhiku, është puç kundër LDK-së, të djathtës të Kosovës, me qëllim të kthimit të “komandantëve” në pushtet.
Qëllimet janë ende më të errëta: Të pengohet “Vetting-u” dhe “Byroja për Verifikimin e Pasurisë pa mbulesë vetanake financiare”, duke vazhduar anarkinë dhe kthimin e bisedimeve për ndarjen e Kosovës, të dërtuar dhe premtuar vite më parë. Për këtë janë të interesuar edhe armiqtë e Kosovëse. “Bëje Zot llugë”, – thonë ata! Një Kuvend Zgjedhor, sigurisht, do të mbahet.
Por, ai duhet të jetë i zakonshëm dhe në afatin e caktuar. Debati dhe analizat nuk do të kenë karakter puçist, si ai i vitit 1997 i LPK-së, kur agjenti i trefishtë Hashim Thaçi rrëzoi Kryesinë e Vjetër të LPK-së, duke e zëvendësuar me Kryesinë e Re, të dominuar me agjentë të shteteve armike të Kosovës, SHTAB-i i së cilës sabotoi luftën e Kosovës.
Këtë e thonë, me emër e mbiemër, ish-themeluesit e UÇK-së të LPK-së, të cilët ndjehen të tradhtuar, nga uzurpuesit puçistë të LPK-së! Kuvendet zgjedhore të Nëndegëve, të Degëve dhe deri në LDK-Qender, duhet të karakterizohen nga debati i hapur dhe analiza e sinqertë, duke filluar qysh në hershmëri të devijimit nga rruga rugoviane të LDK-së dhe deri në ditët e sotme.
Debati i shpenguar dhe votimi i fshehtë, për të gjitha nivelet e strukturave të LDK-së, në kohë-shtrirje dy dekatore, do të dëshmonte se kush do të duhej të ndëshkohen të parët. Dhe, ndoshta, Lumir Abdixhiku do të rezultonte i fundit në fajësi dhe dëmsjellje LDK-së. Prandaj, keni durim, zotërinj të deritashëm, konstitucionalitë!
Thirrjet histerike dhe ngutia alarmuese, pikërisht, kur Lidershipi aktual vuri si krye-kauzë bashkimin dhe profilizimin e të djathtës të Kosovës, ka edhe qëllime tjera, po aq kriminale: 1) Pengimi dhe dështimi i bashkimit politik djathtist, të kryesuar nga LDK-ja, si mundërsi dhe shansë e vetme e partisë, për ngritjen e serishme, si forcë konkurruese dinjitoze në skenën politike të Kosovës; 2) Rezistenca e klanit Mustafa, për ruajtjen e aleancës me të majtën ekstreme staliniste, me PDK-në, AAK, NISMA, të koalicionuara në PAN; 3) Sabotimin me çdo kusht të një koalicioni apo bashkëqeverisje të LDK-LVV, si të vetmet parti parlamentare të pa kriminalizuara.
Tri synimet e cituara janë të opozitës PAN-iste, janë të barasvlershme në poshtërsi! Lexohet qartazi se opozita PAN-iste ka qëllime të errëta, për ta çuar vendin në zgjedhje, edhe pse është e vetëdijshme se Albin Kurti me LVV të tij dhe aleatët, ngaqë, aktualisht, kalëron shpejt dhe në distancë, duke mos i lënë shpresë opozitës për një zënie të afërme dhe aq më pak tejkalim të LVV.
Për t`u afruar, sado pak, PAN-i e ka dëgjuar porosinë e Kurtit, se “subjektet PAN-iste, duhet bërë reforma të thella e tërësore, deri në -r i f o r m i m-“. Pra, nuk mjafton vetëm ndryshimi i emrave partiak, por duhet ndryshuar përmbajtja, përkatësisht, spastrimi radikal nga eksponentët e inkriminuar. LDK-ja nuk vuan nga mëkatet e pjesës tjetër të opozitës.
Ajo është prej 20 vjetësh, pothuaj se, në opozitë. Sepse edhe kur ishte, gjoja, në pozitë, kishte kryeministër të dubluar, pra, hisedar ishte edhe Hashimi. Tandemi Hashimi-Isa ishin fatal për Kosovën. LDK-ja e “vllaçiti”!
Në fakt, ishte rrethi vicioz i Isa Mustafës, me tre nënkryetarët e tij klasikë, të lidhur rrast me Hashimin, të cilët shpërfillën popullin, elektoratin, anëtarësinë, strukturat e partisë në Nëndegë dhe Degë: Këshillin e Përgjithshëm, Grupin e Deputetëve dhe vetë Kryesinë e LDK-së. Rrethi vicioz, që vendoste për gjithçka, kufizohej në gishtërinjtë e një dore!
E pyeta njërin nga tre nënkrytarët: “A e konsultoni për vendime Kryesinë, sekretarin…? Përgjigja ishte shokuese: “Kush e pyet atë!” Ishte viti 2015, kur kërkesat e Vjosë Osmanit, “për debat dhe analizë kuvendore, si dhe votim të fshehtë demokratik”, klani i Isa Mustafës i refuzoi me një arrogancë, deri në rrugaçëri!
Delegatët e Degëve të LDK-së Zvicër dhe Gjermani, u përjashtuan nga Kuvendi, pjesë e tyre ishte edhe autori i këtij shkrimi. Dr. Vjosë Osmani, një rugoviste e pa kompromis, mbronte rugovizmin dhe LDK-në.
Në ndëshkimin e Vjosës, në Kuvendin e 8-të “zgjedhor”, ishin pjesë e tij edhe protagonistët e sotëm, të cilët me intrigime puçiste, në koordinim me PDK-në, kërkojnë me nguti linçimin e kryetarit të ligjshëm, Lumir Abdixhikut!
Kërkesa e klanorëve të Isa Mustafës, për bërjen e një Kuvendi, enkas për shkarkimin e kryetarit Abdixhikut, pa hyrë në një garë zgjedhore demokratike, për të gjitha strukturat e partisë, është mënyrë mafioze dhe puçiste, për ta dobësuar LDK-në, deri në ndarjen e saj! Kësaj kërkese i është bashkuar opozita PAN-iste, me tri krijesat ilegale: SHIK, Shqiponjat e Zeza, BIA (kosovare).
Përgjatë gjithë sundimit të tandemit Hashimi-Isa, në të gjitha kuvendet “zgjedhore”, ka mbizotëruar aklamacioni, votimi i hapur, me ngritje dore, duke përjashtuar debatin demokratik dhe votimin e fshehtë ligjor. Prandaj, shumica absolute e strukturave të partisë aktuale, janë pjellë aklamative, tërësisht, të jashtëligjshme.
Realisht, ata që u rreshtuan në listën emërore, për shkarkimin e kryetar Lumirit, nuk kanë kredibilitet, besueshmëri faktike, sepse janë të emëruar dhe nuk janë provuar me votën e fshehtë demokratike.
Lidershipi aktual i LDK-ë, në asnjë mënyrë dhe rrethanë, nuk duhet të pranojë një Kuvend, i cili nuk vënë në provën zgjedhore anëtarësinë, me debat dhe votë të fshehtë, për të gjitha strukturat e partisë, nga baza në qendër. Një mendje e ndritur botërore ka porositur për vigjilencë, syçeltësi: “Popullit dhe gruas nuk i falet t`i dorëzohet aventurierit të parë!”
Bashkimi dhe profilizimi i të djathtës të Kosovës, të nismuar nga binomi Vjosa-Lumiri, si krye-kauzë rishtare të LDK-së, ka shqetësuar subjektet politike PDK dhe AAK, të cilat, mashtrueshëm e falsifikueshëm, kanë proklamuar “djathtizmin” e tyre!? Ndërkohë që ato janë pjellë e krahut të LPK-së ultra majtsite marksiste-leniniste enveriste-staliniste.
Banda e kuqe barti në Kosovë ideologjinë namkeqe enveriste se “pushteti merret me grykën e pushkës”, kundër atdhetarëve djathtistë, anti-komunistë në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rrjedhojat ishin fatale: Ushtarakët luftë-bërës të FARK-ut, kuadrot e Ibrahim Rugovës, veprimtarët e LDK-së, gazetarët e kombëtares “Bota sot”, por edhe brenda llojit, veprimtarët e hershëm të LPK-së dhe Kosova u përgjakën.
Lidershipit aktual të LDK-së, të kryesuar nga kryetari Lumir Abdixhiku, i bie përgjegjësia historike: Ta mbrojë partinë e Presidentit Rugova, e cila bëri paqen dhe luftën, deri në shtet-formim dhe shtet-ndërtim. Dhe, të mos e dorëzojë partinë e parë pluraliste në Ballkan dhe përtej, LDK-në tek banda e PDK-së dhe argatëve të saj të shantazhuar dhe të kërcënuar me metoda mafioze.
