Vala ekstreme e të nxehtit që përfshiu Evropën në fund të muajit qershor ka shkaktuar të paktën 12 mijë vdekje shtesë në rreth dhjetë vende evropiane. Bilanci paraprak tregon një rritje të ndjeshme të vdekshmërisë gjatë ditëve me temperatura rekord, duke ngritur shqetësime për ndikimin e motit ekstrem në shëndetin e popullsisë.
Gjatë periudhës 22–28 qershor, janë regjistruar rreth 10 mijë vdekje shtesë në Gjermani, Francë, Belgjikë, Spanjë, Holandë, Zvicër dhe Luksemburg. Ndërkohë, në Angli dhe Uells vlerësohet se temperaturat e larta kanë shkaktuar edhe rreth 2,200 viktima të tjera, duke e çuar numrin total në mbi 12 mijë.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, të dhënat mbeten paraprake, ndërsa monitorimet e fundit tregojnë se numri real mund të jetë edhe më i lartë. Platforma evropiane EuroMOMO ka raportuar një rritje të konsiderueshme të vdekshmërisë në javën e fundit të qershorit, me mbi 14 mijë vdekje shtesë të regjistruara në 24 vende evropiane. “Vera nuk ka mbaruar.
Ne kemi mjetet për të parandaluar këto vdekje. Për momentin shumë qeveri ende e konsiderojnë nxehtësinë si një fenomen meteorologjik dhe jo si një emergjencë shëndetësore”, paralajmëroi Hans-Henri Kluge, drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën.
“Për aq sa dimë ne, nuk ka shkaqe të tjera për këtë vdekshmëri të tepërt nga nxehtësia, dhe kjo është tragjike”, tha për AFP Lasse Festergaard, epidemiolog në qendrën daneze të kërkimit Statens Serum Institut dhe koordinator i EuroMOMO. Megjithatë, shkencëtari paralajmëroi kundër interpretimit të nxituar të të dhënave, të cilat mbeten të përkohshme.
Sipas EuroMOMO-s, nevojiten katër javë që vlerësimet të konsolidohen mjaftueshëm. Metodat e llogaritjes së vdekjeve shtesë, apo më saktë të personave që humbin jetën si pasojë e temperaturave të larta, ndryshojnë nga një vend në tjetrin.
Në Spanjë, sistemi i monitorimit të vdekshmërisë i Qendrës Kombëtare për Epidemiologji (MoMo) i atribuoi 610 vdekje të nxehtit gjatë periudhës 22–28 qershor, ndërsa pothuajse dy të tretat e viktimave ishin persona mbi moshën 85-vjeçare.
Gjermania regjistroi 5,780 vdekje shtesë gjatë javës së 26-të të vitit, krahasuar me mesataren e katër viteve të mëparshme, sipas llogaritjeve të bazuara në të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave (Destatis). Sipas Institutit Robert Koch (RKI), më shumë persona kanë humbur jetën nga i nxehti këtë verë sesa në gjashtë vitet e mëparshme së bashku.
Në Francë, sipas Santé publique France, janë regjistruar më shumë se 2,000 vdekje shtesë në javën e 26-të krahasuar me javën paraprake. Në Belgjikë, instituti shkencor Sciensano numëroi 753 vdekje shtesë vetëm më 27 dhe 28 qershor, nga gjithsej 1,747 vdekje shtesë të regjistruara midis 18 qershorit dhe 1 korrikut, një rekord kombëtar gjatë një vale të nxehti në shekullin XXI.
Një analizë e AFP-së mbi të dhënat e Institutit Holandez për Shëndetin Publik dhe Mjedisin (RIVM) regjistroi pothuajse 600 vdekje shtesë në Holandë gjatë periudhës 22–28 qershor. Në të njëjtën periudhë, Zvicra raportoi rreth 220 vdekje shtesë, bazuar në të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave, ndërsa në Luksemburg Ministria e Shëndetësisë raportoi 23 viktima të tjera.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
