Aktivisti Edison Lika i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë “kryeministrin Edi Rama si kokën kriminale të këtij sistemi të korruptuar!” “Sigurisht, e kemi thënë dhe do ta themi, kërkojmë nga SPAK hetimin e Edi Ramës si koka kriminale e këtij sistemi të korruptuar“, tha ai.
Ai u shpreh se askush nuk mund ta përfaqësojë apo ta devijojë protestën, pasi, sipas tij, përfaqësuesit e saj janë vetë qytetarët që marrin pjesë çdo ditë në shesh.
Ndër të tjera, aktivisti ironizoi edhe ata deputetë që kanë dalë kundër qeverisë apo janë shprehur kritikë ndaj tyre, ndërsa tha se “ne nuk do të mjaftohemi kurrë as me deputetët që dalin përballë partisë, por vijojnë të jenë brenda saj.
Ne kërkojmë që lëvizjet e kujtdo të jenë të qarta, të dukshme dhe të jenë në kohezion me kërkesat e sheshit.” Aktivisti Edison Lika: Kjo lëvizje as nuk mund të bëhet pis dhe as nuk mund të preket nga askush. Ndaj i themi kujtdo që tenton të përfaqësojë këtë lëvizje se nuk do t’ia dalë dot. Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje jeni të gjithë ju këtu në shesh.
Kjo lëvizje nuk ka përfaqësi, kjo lëvizje ka prani fizike në shesh. Kjo lëvizje nuk do të futet kurrë në negociata, pasi kërkesat i ka të qarta. Nuk kemi për të negociuar me askënd.
Sepse e para e kësaj proteste dhe më e rëndësishmja është ajo që kemi treguar që prej ditës së parë: “Dorëheqje!” Kjo nuk do të thotë që ne nuk inkurajojmë çdo lëvizje, çdo qytetar apo deputet që vendos të dalë përballë Ramës. Ne inkurajojmë këdo që i del përpara këtij regjimi.
Sigurisht, e kemi thënë dhe do ta themi, kërkojmë nga SPAK hetimin e Edi Ramës si koka kriminale e këtij sistemi të korruptuar. Ne nuk do të mjaftohemi kurrë as me deputetët që dalin përballë partisë, por vijojnë të jenë brenda saj. Ne kërkojmë që lëvizjet e kujtdo të jenë të qarta, të dukshme dhe të jenë në kohezion me kërkesat e sheshit.
