“E di kryeministri që shqiptarët s’bëjnë dot pushime?”, protestuesi shpërthen ndaj Ramës

0%

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama se protesta po dëmton imazhin e Shqipërisë dhe sektorin e turizmit kanë sjellë reagime nga pjesëmarrësit në tubim. Njëri prej protestuesve iu përgjigj drejtpërdrejt kreut të qeverisë, duke e zhvendosur debatin te kushtet ekonomike me të cilat përballen shumë familje shqiptare. Gjatë fjalës së tij, i riu tha se përpara se të flitet për ndikimin e protestave në turizëm, duhet të merret në konsideratë fakti se mijëra qytetarë nuk kanë mundësi financiare të përfitojnë nga pushimet verore në vend. Sipas tij, ka familje shqiptare që nuk kanë mundur asnjëherë të kalojnë pushime në bregdet për shkak të kostove të larta dhe të ardhurave të pamjaftueshme. “A e di zoti kryeministër se ka familje shqiptare që nuk kanë qenë kurrë me pushime në bregdet?”, deklaroi protestuesi para të pranishmëve. Ai theksoi se shqetësimet që po ngrihen në protestë lidhen me problematika që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, duke përmendur vështirësitë ekonomike dhe pamundësinë e shumë familjeve për të përballuar shpenzimet bazë. Më tej, protestuesi deklaroi se kauza e tyre po tërheq vëmendje edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Sipas tij, reagimet dhe mbështetja që po marrin tregojnë se mesazhi i protestës po dëgjohet më gjerë. “Ne po na mbështet e gjithë bota, sepse guxuam të ngremë zërin kundër këtyre këtu”, u shpreh ai.

Burimi: Bota Sot