Në Serbi iniciohet shkarkimi i ministres që i mbeti merak spastrimi

0%

Shpërndaje në: Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka dorëzuar kërkesën me 53 nënshkrime për shkarkimin e ministres Paunoviq, që ditë më parë ka thënë se “po të ishte në vend të Millosheviqit, më 1998 do të spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët”.

Në Kosovë, pos që është shpallur person i padëshirueshëm, është marrë nismë edhe për padi ndaj saj, e reagime për këtë deklaratë janë bërë edhe në Beograd, Tiranë, Bruksel e Londër Me inicimin e deputetit të vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe me nënshkrimet edhe të 52 deputetëve të tjerë në këtë vend, të enjten është dorëzuar kërkesa për shkarkimin e ministres serbe Snezhana Paunoviq.

Kamberi ka njoftuar se kërkesa i është dorëzuar kryeministrit të Serbisë, Gjuro Macut, pasi Paunoviq në një intervistë për “Tv Kurir”, ka thënë se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, më 1998 do të spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët”. Kjo deklaratë dhe të tjera të Paunoviqit, kanë nxitur një lum reagimesh në Kosovë, Serbi dhe vende evropiane.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kamberi në postimin e tij, ka thënë se nismën e tij nuk e kanë përkrahur parti të komuniteteve pakicë në Serbi. “Nëse Gjuro Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë.

Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë. Pra, shkarkimin e ministres Paunoviq nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliqit, as partia boshnjake e Lajiqit dhe as partia hungareze e Pastorit!”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Edhe Arbëri 2 d. më parë Deklarata fashiste e ministres serbe dënohet nga BE-ja, Kosova dhe një pjesë e opozitës në Serbi Ndërkohë, vetë autorja e kësaj deklarate, e vlerësuar “provokuese, përçarëse e fashiste”, është deklaruar edhe të enjten. Ajo ka zgjedhur t’i kërkojë falje vetëm presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike.

Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, ka thënë ajo në një intervistë për “Informer TV”. Kërkimfalja e saj ndaj Vuçiqit është bërë pas presioneve të mëdha ndërkombëtare e edhe pas deklaratës së vetë Vuçiqit për Paunoviqin.

Vuçiq të mërkurën ka thënë se deklarata e saj ishte joserioze, por nuk është distancuar qartë nga ideologjia fashiste e shfaqur nga Paunoviq si projekt i Serbisë. “Kjo deklaratë nuk pasqyron vullnetin dhe politikën e presidentit dhe të Qeverisë së Serbisë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm.

Politika jonë është dialogu, kompromisi dhe bisedimet, e kurrë spastrimi etnik, pikë”, ka thënë Vuçiqi. Ai ka shtuar se deklarata “kaq të pamatura dhe të papërgjegjshme nuk duhen të bëhen në publik”. Megjithatë edhe ai, sikurse zv.kryeministri i Serbisë dhe kryetari i partisë SPS, ku bën pjesë edhe Paunoviq, Ivica Daçiq, i kanë dhënë kahe tjetër deklaratës për spastrim etnik.

Njësoj sikurse Daçiqi, edhe Vuçiqi ka pretenduar se “aktualisht në Kosovë po bëhet spastrim etnik i serbëve”, por pa folur për spastrimin etnik të shqiptarëve më 1998-1999, kur rreth një milion ishin shtyrë të largohen drejt vendeve fqinje.

Kosova padit Paunoviqin Të martën, Ministria e Brendshme e Kosovës e ka shpallur shpallur person të padëshiruar Paunoviqin, duke ia ndaluar përgjithmonë hyrjen në Kosovë. E të enjten, një veprim e ka ndërmarrë edhe Ministria e Drejtësisë.

Ministrja në detyrë e këtij dikasteri, Donika Gërvalla, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se ka kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit.

“Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes. Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike.

Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore”, ka shkruar Gërvalla në Facebook. Për rastin ka folur edhe ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai në një intervistë për “Euronews Albania”, ka thënë se pret hapa në këtë drejtim edhe nga Shqipëria.

“Duke qenë se Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve dhe duke qenë se në vetë Kushtetutën e Shqipërisë është obligim mbrojtja e shqiptarëve dhe interesave të tyre, unë pres më shumë. Do të thotë që unë pres një reagim faktik, aktiv ndaj këtyre kërcënimeve.

Për shkak se këto nuk janë deklarata, këto janë edhe kërcënime, të cilat bazohen në të kaluarën, siç e thashë, shumë të dhimbshme tonën, edhe në sjelljen e Serbisë. Unë besoj se reagimi i Shqipërisë duhet të jetë më konkret dhe më aktiv. Kjo ka qenë deputete, ku ka qenë pjesë e Grupit të Miqësisë Serbi–Shqipëri, në të cilin, fatkeqësisht, kanë marrë pjesë shovinistë serbë.

Duhet një demaskim i kësaj sjelljeje dyfytyrëshe të Beogradit, sepse nuk ka probleme me Kosovën, por probleme me shqiptarët”, ka thënë Sveçla. E të enjten në seancën e Kuvendit të Shqipërisë kjo çështje ka shkaktuar përplasje mes deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Muçi ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të mbajë qëndrim publik duke e cilësuar “spastrimin etnik” si krim njerëzor, teksa e ka akuzuar qeverinë e Shqipërisë për heshtje ndaj deklaratës fashiste. Por, Balla i është përgjigjur se reagimi i qeverisë Rama është bërë përmes Ministrisë së Jashtme.

“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme por indinjuese dhe të rëndë të një anëtare të qeverisë së Serbisë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme në mënyrë të menjëhershme.

Ndërkohë, këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, por janë çështje të një rëndësie kombëtare, që nuk mund të tallemi për një aspekt procedural që një kadet i ri në Kuvendin e Shqipërisë kujton se mund të marrë vëmendje politike”, ka thënë Balla.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, e pati quajtur të papranueshme, tronditëse dhe fyerje për viktimat e luftës deklaratën e Paunoviqit.

Ai ka theksuar se procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë kërkon përgjegjësi dhe reflektim për t’u përballur me të kaluarën dhe se “nuk mund të ndërtohet mbi deklarata që justifikojnë apo lartësojnë politikat që sollën aq shumë dhimbje e shkatërrim”.

“Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e sotme.

Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagë që ende nuk janë shëruar”, thuhet në reagimin e ministrit Hoxha.

Kandiq: Deklarata nuk është qëndrim për të kaluarën, por mesazh se ajo ideologji nuk është braktisur Ndërkohë, në Serbi, organizata të shoqërisë civile e edhe media të pavarura kanë vazhduar të kërkojnë përgjegjësi nga qeveria e këtij vendi dhe vetë Paunoviqi për atë që ka thënë.

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiqi, në reagimin e radhës, ka thënë se Paunoviq si një grua e lindur në Pejë, ka përgjegjësinë të flasë të vërtetën për krimet që forcat serbe kanë kryer të paktën në këtë qytet dhe përreth tij. “Ajo e di shumë mirë se më , policia serbe dëboi pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare nga Peja.

Njerëzit u larguan në këmbë në kolona drejt Malit të Zi, ndërsa me autobusë u deportuan në Shqipëri. Ajo i njeh gjithashtu krimet në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, ku civilët u vranë dhe trupat e tyre u dogjën.

Ajo i di të gjitha këto, por megjithatë e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që ai nuk u zbatua në vitin 1998”, ka shkruar Kandiq. Sipas saj, deklarata e Paunoviqit nuk është një qëndrim për të kaluarën, por një mesazh se ajo ideologji nuk është braktisur.

Ajo ka kërkuar gjithashtu që shërbimet financiare të Qeverisë së Serbisë të verifikojnë dhe të informojnë publikun nëse ministrja Paunoviq ka marrë kompensime për shpenzime të pretenduara të udhëtimit nga Peja në Beograd dhe anasjelltas.

Sipas mediave serbe, ajo më 2022 ka marrë 12 mijë euro nga buxheti i Serbisë, në emër të udhëtimit, pasi ka paraqitur Pejën si vendbanim, ndonëse jeton në Beograd. Edhe Arbëri 2 d. më parë Serbia nuk spastrohet nga fashizmi ndaj Kosovës “Nëse rezulton se ka përfituar mjete të tilla, duhet të bëhet publike shuma e marrë nga buxheti dhe ajo të mbahet penalisht përgjegjëse:, ka thënë Kandiq.

Komisionerja Kos habitet se si Paunoviq është ende ministre, reagon edhe Britania Një reagim të dytë për këtë çështje, të enjten ka bërë edhe komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos.

Ajo ka thënë se është e paimagjinueshme për të që ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, vazhdon të jetë në detyrë pas deklaratës për “spastrim etnik në Kosovë”.

Gjatë fjalimit të saj në mbledhjen e rregullt të Komitetit të Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane të Parlamentit Evropian të enjten, Kos u ka bërë thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE që të kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë. “Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha.

Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, ka thënë Kos. Kos e ka dënuar deklaratën e Paunoviqit edhe para dy ditësh.

Një reagim të enjten ka bërë edhe Ministria e Punëve të Jashtme Britanisë se Madhe, i cili është shpërndarë edhe nga ambasada e këtij vendi në Prishtinë. Në reagiim thuhet se deklaratat e tilla synojnë të rihapin ndarjet e vjetra dhe të nxisin tensione. “Ne i dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, përfshirë referencat e saj për spastrimin etnik të Kosovës.

Ato janë plotësisht të neveritshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme. Në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, stabile dhe multietnike, deklarata të tilla synojnë të rihapin ndarjet e vjetra dhe të nxisin tensione. Udhëheqësit politikë të përgjegjshëm duhet ta refuzojnë një gjuhë të tillë qartë dhe pa asnjë mëdyshje.

Ne marrim parasysh distancimin e presidentit Vuçiq nga këto komente”, thuhet në reagimin e Ministrisë së jashtme britanike. E një ditë më herët ka reaguar edhe deputetja britanike Alicia Kearns. Përmes një reagimi publik, Kearns ka thënë se qëndrimi i Paunoviqit përbën “një njollë të rëndë mbi Qeverinë e Serbisë”.

Ajo ka theksuar se brezi i njerëzve që sot janë në të tridhjetat i kujton ende mizoritë e kryera nga forcat e Sllobodan Millosheviqit ndaj popullsisë së Kosovës dhe familjeve të tyre. Sipas deputetes britanike, çdo përpjekje për të justifikuar ose glorifikuar krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk mund ta bëjë botën të harrojë atë që ka ndodhur. “Mos harroni kurrë”, ka thënë Kearns.

Fjalori fyes i politikanëve serbë ndaj shqiptarëve Por, Paunoviq nuk është zyrtarja e vetme që ka bërë deklarata fyese apo nxitëse ndaj shqiptarëve. Ana Bërnabiq, kur ishte kryeministre e Serbisë më 2019, ka thënë se udhëheqësit e Kosovës janë njerëz “të dalë nga mali” dhe “janë bërë pjesë e elitës politike”.

Bërnabiq, më vonë si kryetare e Kuvendit, ka përdorur edhe termin fyes “shiptari”, duke iu referuar mediave në Kosovë. Ndonëse shqiptarët e quajnë veten “shqiptarë”, termi “shiptar” në gjuhën serbe konsiderohet fyes. Forma neutrale dhe zyrtare është “Albanci”. Në vitin 2018, një gjykatë në Serbi ka konstatuar se përdorimi i termit “shiptar” përbën gjuhë të urrejtjes.

Megjithatë, këtë term e kanë përdorur në disa raste edhe zyrtarë të tjerë të lartë serbë, përfshirë Aleksandar Vullinin, i cili ndër vite ka mbajtur poste të rëndësishme në Qeverinë e Serbisë, si dhe ish-drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, aktualisht ministër i Jashtëm. Objekt i ofendimeve kanë qenë edhe zyrtarë të lartë të Kosovës.

Së voni, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, “fundërrinë terroriste”, ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i është referuar atij si “Hitleri i vogël”.

Historiani serb, Sërgjan Millosheviq, ka thënë se qasja e pushtetit në Serbi ndaj shqiptarëve është karakterizuar prej dekadash nga retorika “degraduese, çnjerëzore dhe haptazi shoviniste”, e cila, sipas tij, i ka paraqitur shqiptarët si një “kërcënim demografik dhe qytetërues”.

Ai ka thënë se rasti i Paunoviqit është pjesë e një modeli të kahershëm politik, ku shqiptarët nuk trajtohen si qytetarë të barabartë, por reduktohen në numra, natalitet dhe një kërcënim për serbët.

“Pas krimeve të kryera gjatë viteve ‘90, një gjuhë e tillë paraqet vazhdimin e një lloj ‘kontributi vullnetar’ të Serbisë zyrtare për pavarësinë e Kosovës, sepse konfirmon pikërisht politikën e poshtërimit dhe përjashtimit, e cila vazhdon ta shkatërrojë mundësinë e jetesës së përbashkët”, ka thënë ai, përcjell Radio Evropa e Lirë.

Gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa më shumë se 1.500 persona – shumica shqiptarë – vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Tribunali i Hagës ka konstatuar se udhëheqësit e Jugosllavisë së atëhershme dhe drejtuesit e aparatit të sigurisë ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që për synim ka pasur dëbimin me forcë të qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova.

Edhe Arbëri 23 min. më parë Antero Lopes emërohet shef i EULEX-it në Kosovë, e zëvendëson Barbanon Për krime kundër shqiptarëve të Kosovës janë dënuar disa zyrtarë të lartë politikë, policorë dhe ushtarakë serbë. E fundin e gjykimit nuk e ka pritur Sllobodan Millosheviqi, themelues dhe kryetar i partisë SPS, ku bën pjesë edhe Paunoviq. Ai ka vdekur gjatë gjykimit në Hagë më 2006.

Burimi: Koha