Një person është arrestuar në rajonin e Prizrenit nën dyshimin për përfshirje në krime kibernetike. I dyshuari u arrestua në një operacion të zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas një komunikate të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, me urdhër të Gjykatës, ka realizuar kontroll në një lokacion në rajonin e Prizrenit në kuadër të hetimeve për këtë rast.
Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për persona të tjerë, dyshohet se ka siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve të SHBA-së.
Sipas komunikatës, ai më pas i ka vënë këto të dhëna në dispozicion për keqpërdorim, duke i publikuar në platforma të caktuara online. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Gjatë kontrollit, Policia ka sekuestruar prova që konsiderohen relevante për rastin. “Rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor.
Gjithashtu, veprimet në të ardhmen do të merren në bashkërendim me autoritetet e ShBA-së”- thuhet në kmunikatën e lëshuar, më .
