Policia e Kosovës ka konfirmuar raportimin e Sinjalit lidhur me operacionin e zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit në Prizren, ku është arrestuar një person i dyshuar për vepra penale të natyrës kibernetike.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës dhe ka kryer kontroll në një lokacion në rajonin e Prizrenit. “Ky rast është hetuar në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së”, thuhet në njoftimin e përbashkët.
Sipas institucioneve të sigurisë, personi i dyshuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për persona të tjerë, dyshohet se ka siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tutje, Policia ka bërë të ditur se këto të dhëna dyshohet se i ka vënë në dispozicion për qëllime keqpërdorimi, duke i vendosur në platforma të caktuara online. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti vazhdon të jetë në proces të mëtejmë hetimor.
“Gjithashtu, veprimet në të ardhmen do të merren në bashkërendim me autoritetet e ShBA-së”, thuhet në komunikatë. Gjatë kontrollit, sipas Policisë dhe Prokurorisë Speciale, janë sekuestruar edhe prova relevante për rastin.
Sinjali raportoi më herët gjatë ditës se në kuadër të një operacioni të Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Prizren ishte arrestuar Hektor Avdyli, nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli. Sipas burimeve të Sinjalit, bastisjet ishin kryer me urdhër të gjykatës, ndërsa ishin kërkuar pajisje elektronike dhe prova që lidhen me një hetim ndërkombëtar për vepra të dyshuara kibernetike.
EKSKLUZIVE: Krimet Kibernetike zbarkojnë në Prizren, arrestohet nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli, ka urdhër-arrest nga SHBA Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
