Dy grabitje të armatosura dhe një rast i vjedhjes së rëndë në Pejë kanë çuar në ngritjen e aktakuzës ndaj katër personave, të cilët Prokuroria Themelore në Pejë i akuzon për përfshirje në këto vepra penale.
KALLXO.com ka mësuar emrat e të akuzuarve tani sipas aktakuzës së Departamentit për Krime të Rënda dhe ata janë Trim Belegu, Alban Jahaj, Ari Kaliqani dhe Venera Dreshaj, të cilët ngarkohen për veprat penale “Grabitja”, “Vjedhja e rëndë” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale Grabitja”.
Prokuroria pretendon se Trim Belegu dhe Alban Jahaj, duke vepruar si bashkëkryerës, më në Pejë, nën kërcënimin e një mjeti të rrezikshëm ndaj punonjëses së një pike të transferimit të parave, kanë grabitur 1 mijë e 40 euro. Në një rast tjetër, Trim Belegu dhe Ari Kaliqani, dyshohen se më , po në Pejë, duke përdorur një mjet të rrezikshëm, kanë grabitur 620 euro nga një barnatore.
Përveç këtyre rasteve, Trim Belegu akuzohet edhe për vjedhje të rëndë, pasi sipas aktakuzës, më fillimisht kishte tentuar të hynte me forcë në një barnatore, ndërsa më pas kishte depërtuar në një lokal tjetër, prej nga kishte marrë para dhe një telefon mobil, duke shkaktuar edhe dëme materiale.
Ndërkaq, Venera Dreshaj, akuzohet se ka ndihmuar në realizimin e grabitjes së 28 janarit, duke u premtuar të pandehurve se do t’i fshihte pas kryerjes së veprës penale dhe më pas duke i transportuar me automjet në lokacione të ndryshme, deri në arrestimin e tyre nga Policia e Kosovës.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Pejë që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale që u vihen në barrë. KALLXO.com pati raportuar për grabitjet që u regjistruan në Pejë dhe madje publikoi edhe pamje të grabitjeve.
Qindra raste të grabitjeve të cilat janë të regjistruara në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës, po dyshohet se i kryen dy të rinj nga Peja, Trim Belegu e Alban Jahaj. Dy të rinjtë, njëri 25-vjeçar e tjetri 27-vjeçar, po dyshohen si recidivistë të veprave penale të grabitjeve e që ndaj të njëjtëve nuk kanë munguar as urdhërarrestet pasi kërkoheshin nga organet e rendit.
KALLXO.com ka siguruar pamje të tri grabitjeve që kanë ndodhur në Pejë, e që dyshohet se i kryen këta dy të dyshuar, Trim Belegu e Alban Jahaj. Përveç pamjeve KALLXO.com ka siguruar edhe dokumentin në të cilën shpjegohen veprimet që pretendohet se kanë kryer të dyshuarit deri sa grabisnin, kryesisht barnatore, markete e institucione për trasfere të parave.
Belegu e Jahaj janë në ndalim nga nën dyshimin se kishin grabitur më një institucion për transferin e parave në Pejë. Pamjet që ka siguruar KALLXO.com tregojnë momentin se si dy të dyshuarit, me maska dhe nën kërcënimin e një thike dyshohet se grabitën një shumë prej 1 mijë eurove.
Në pamje shihet se si të dyshuarit hyjnë brenda institucionit për transfer të parave, flasin me arkëtaren që gjendet aty dhe i drejtojnë thikën. E më pas marrin paratë e dalin nga lokali. Një tjetër pamje që ka siguruar KALLXO.com është në një institucion po ashtu për transfere të parave.
Në momentin që kryhet vjedhja njëri nga të dyshuarit shihet duke hyrë brenda derisa aty nuk gjendet askush, merr një çantë dhe del nga lokali. Farmacistja shihet se tërhiqet nga arka nën frikën e kërcënimit të thikës, dhe njëri nga të dyshuarit shihet deri sa zgjatet merr para dhe largohet nga aty.
Këto janë vetëm disa nga pamjet që ka arritur të sigurojë KALLXO.com e që pretendohet se u kryen nga dy të dyshuarit Belegu e Jahaj. Policia e Prokuroria deri më tani kanë intervistuar disa viktima të dy të dyshuarve. Nga baza e të dhënave të Policisë së Kosovës, del se Alban Jahaj dyshohet se është i involvuar në 134 raste penale prej të cilave në 129 është në cilësinë e të dyshuarit.
Madje për të njëjtin pati 11 urdhërarreste. Në anën tjetër për Trim Belegun janë hiç më pak se 303 raste penale, prej të cilave në 302 është në cilësinë e të dyshuarit. Për të njëjtin ka pasur edhe një urdhërarrest. Për këto raste të përmendura edhe në dosjen e Prokurorisë nuk përmendet epilogu i tyre.
KALLXO.com ka kontaktuar me avokatët e të dyshuarve për grabitjet që kanë ndodhur në dhjetor 2025 dhe janar 2026. Zeqir Bujupaj, avokat që ka përfaqësuar Trim Belegun, tha për KALLXO.com se tashmë janë në fazë të hetimit prokuroria dhe nuk mund të jap ndonjë detaj në lidhje me rastin.
Pranvera Ukaj-Pukaj e cila është caktuar avokate te Alban Jahaj ka thënë në një bisedë shkurt për KALLXO.com se e ka përfaqësuar të dyshuarin për dy grabitje që kanë ndodhur një në janar dhe një në dhjetor të vitit 2025. “Për rastet e tjera që dyshohet se ka qenë i involvuar nuk kam informacione.
Klienti është intervistuar për dy grabitje që kanë ndodhur një tash në fundmi dhe një në dhjetor”- kishte thënë avokatja. Fshehja dhe arratisja Belegu e Jahaj pretendohet se më kishin grabitur një institucion për transfer të parave në Pejë. Nga aty të njëjtit ishin arratisur dhe kishin shkuar në fshatin Shushicë të Istogut dhe aty ishin strehuar në një shtëpi pa lejen e pronarit.
Nga aty të dyshuarit sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com, kishin shkuar në bjeshkën e Repishtës e që edhe aty pa lejen e pronarit ishin futur brenda një stani dhe më pas ishin arrestuar nga policia. Jahaj i njohur për policinë, kishte 11 urdhërarreste në të kaluarën. Në bazë të dokumentit që ka siguruar KALLXO.com, Jahaj figuron se pati urdhërarrestet që nga viti 2015.
E për Trim Belegun në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata figuron se kërkohej nga policia në vitin 2017. Të dy të pandehurit aktualisht gjenden në masën e paraburgimit. Për këtë masë gjykata kur caktoi mori parasysh edhe faktin e rrezikut të ikjes por edhe ndikimit në dëshmitarë.
Kjo për faktin edhe se një familjar i njërit nga të dyshuarit do të intervistohet meqenëse konsiderohet se në një rast ndihmoi në arratisje. Po ashtu policia do të punojë që të lokalizojë edhe vendndodhjen e A.K., si i dyshuar për përfshirjen në grabitjet që u regjistruan në Pejë.
