Një tragjedi e rëndë është raportuar pranë brigjeve të Mianmarit, ku më shumë se 500 persona dyshohet se kanë humbur jetën pasi dy anije me refugjatë janë fundosur në det.
Sipas njoftimeve të agjencive të Kombeve të Bashkuara, anijet ishin nisur nga rajoni Rakhine i Mianmarit në fund të muajit qershor dhe në bord kishin kryesisht pjesëtarë të komunitetit Rohingya, përfshirë persona nga kampet e refugjatëve në Bangladesh.
Refugjatët po tentonin të arrinin në vende si Malajzia, Indonezia ose Tajlanda, duke ikur nga dhuna, pasiguria dhe kushtet e vështira të jetesës. Njëra prej anijeve, me rreth 250 persona në bord, humbi kontaktin menjëherë pas nisjes, ndërsa anija tjetër, me afërsisht 280 persona, dyshohet se u fundos më 8 korrik pranë brigjeve të lumit Irrawaddy në Mianmar.
Organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar vazhdimisht se udhëtimet detare të refugjatëve Rohingya nëpër Detin Andaman dhe Gjirin e Bengalit janë ndër më të rrezikshmet në botë. Komuniteti Rohingya prej vitesh përballet me diskriminim dhe përndjekje në Mianmar, ku shumë prej tyre nuk njihen si shtetas.
Kriza humanitare është thelluar pas trazirave politike dhe konfliktit të armatosur në vend. Sipas organizatave të OKB-së për refugjatët dhe migracionin, qindra persona janë raportuar të zhdukur ose të vdekur gjatë këtij viti në përpjekje për të kaluar rrugët detare drejt vendeve më të sigurta. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
