Pak minuta pas përfundimit të ndeshjes në Atlanta, mijëra argjentinas dolën në rrugë për të festuar fitoren. Në Buenos Aires, festimet u përqendruan tek Obelisku, simboli kryesor i qytetit, ku tifozët kënduan përfshirë himnin e Kupës së Botës “Ylli i Katërt”, kushtuar Ishujve Malvinas, Diegos dhe Leos.
Festime të ngjashme u zhvilluan edhe në Rosario, Kordoba, Salta, Tukuman dhe Mar del Plata. Në rrjetet sociale u bë virale një video nga baza shkencore argjentinase Esperanza në Antarktidë. Një burrë me fanellën e Argjentinës valëviti flamurin mes dëborës dhe të ftohtit ekstrem, duke festuar kualifikimin në finale.
Shumë tifozë të përfaqësueses angleze, të cilët ishin mbledhur në Londër, fillimisht festuan dhe ëndërruan, por më pas u kthyen në shtëpi me një zhgënjim të madh. Pritja 60-vjeçare për trofeun e Kupës së Botës do të zgjasë ende. Shtypi anglez e priti humbjen më shumë i dorëzuar se sa i zemëruar.
Tituj si “Fundi i Botës” dhe “E njëjta histori e vjetër” tregojnë se besimi se trofeu do të kthehej në shtëpi është zbehur. Kritikat janë përqendruar te trajneri Thomas Tuchel, i cili akuzohet se përsëriti të njëjtat gabime si paraardhësi i tij, Gareth Southgate: pas avantazhit, skuadra u tërhoq në mbrojtje, ia la iniciativën kundërshtarit dhe përfundoi duke pësuar gol.
