Jude Bellingham ka sqaruar arsyen e debatit që pati me Lionel Messin gjatë pjesës së parë të ndeshjes mes Anglisë dhe Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Mesfushori anglez zbuloi se shkaku ishte një faull i akorduar në favor të Argjentinës, duke theksuar se biseda nuk përmbante asgjë fyese apo armiqësore.
Ai minimizoi rëndësinë e incidentit, duke e cilësuar si një përballje të zakonshme që ndodh gjatë një ndeshjeje futbolli. “Sa i përket bisedës me Messin, po diskutonim për një faull. Nuk kishte asgjë me qëllim të keq. Jam i sigurt se mediat do ta bëjnë një histori të madhe, por në të vërtetë nuk kishte asgjë,” tha Bellingham.
Ai shpjegoi edhe se çfarë u tha mes tyre: “Mendova se pak më herët ishte faull për ne, ndërsa ai mu përgjigj: ‘Po ai faulli ndaj meje?’. Unë i thashë: ‘Je mjaftueshëm i fortë për ta përballuar’, nëse e kuptoni se çfarë dua të them”. Pavarësisht debatit në fushë, Bellingham pas ndeshjes pranoi me sportivitet humbjen dhe shprehu respekt për Lionel Messin.
“Është e qartë se jam në anën humbëse dhe kjo dhemb shumë. Zemra ime është thyer. Doja të isha pjesë e skuadrës angleze që më në fund do ta arrinte suksesin. Të qëndroj këtu dhe t’u them tifozëve të njëjtat gjëra që i dëgjojnë prej vitesh është vërtet e dhimbshme. Më vjen keq.
Megjithatë, ishte privilegj të luaja kundër njërit prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave”, deklaroi Bellingham.
