Policia e Shqipërisë ka publikuar detaje nga operacioni i koduar “Mekanizmi”, i zhvilluar nga strukturat policore në Sarandë në bashkëpunim me njësi të tjera operacionale.
Operacioni u finalizua pas një hetimi me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e personave që dyshohet se përbëjnë rrezik për sigurinë publike dhe përfshirjen në veprimtari kriminale. Si rezultat i aksionit, policia ka arrestuar në flagrancë një 31-vjeçar me inicialet K.B., banues në Tiranë.
Sipas autoriteteve, automjeti që drejtonte i riu ishte mbajtur nën vëzhgim nga policia, ndërsa ndalimi i tij është kryer në tunelin e Skërficës. Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët kanë gjetur të fshehura katër armë zjarri, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri në pjesë të ndara dhe më pas janë montuar me qëllim shitjen te një grup kriminal në Sarandë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin e përfshirë në këtë aktivitet dhe për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë rol në rast. Policia ka bërë të ditur se operacioni është pjesë e angazhimeve për parandalimin e veprimtarive kriminale dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
