Inspektorati i Komunës së Prishtinës ka ndërmarrë sot një aksion për largimin e parkingjeve që dyshohet se operojnë pa leje në kryeqytet. Gjatë këtij aksioni, zyrtarët komunalë kanë bllokuar një hapësirë parkingu afër objektit të Ministrisë së Bujqësisë, duke vendosur pengesa fizike në hyrje të saj dhe duke ndaluar shfrytëzimin e mëtejshëm të këtij parkingu.
Në operacion kanë marrë pjesë përfaqësues të Inspektoratit dhe të Drejtorisë së Pronës, të cilët kanë verifikuar gjendjen në terren dhe kanë ndërmarrë masat përkatëse. Sipas Komunës së Prishtinës, aksioni është pjesë e përpjekjeve për të identifikuar dhe mbyllur hapësirat që përdoren si parkingje pa autorizimet dhe lejet e nevojshme.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në zona të tjera të kryeqytetit, me qëllim rregullimin e përdorimit të hapësirave publike dhe eliminimin e veprimtarive të paligjshme. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!