Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ishte i kënaqur pas fitores bindëse 4:1 ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Kampionatit Botëror, por njëkohësisht foli hapur edhe për kritikat që e kanë shoqëruar ditët e fundit. Duke folur për paraqitjen e skuadrës, Xhaka vlerësoi lojën kolektive të Zvicrës dhe kontributin e futbollistëve që u aktivizuan nga stoli.
“Nëse duhet të ketë lavdërime, atëherë edhe unë i jap ato. Kur luajmë keq, jam i pari që kritikoj. Sot pamë një Zvicër shumë të fortë. Ishim një njësi e vetme, me top dhe pa top. Bëmë edhe punën e vështirë, fituam duele të rëndësishme dhe zhvilluam një ndeshje shumë të mirë gjatë 90 minutave. E dinim se duhej të paraqiteshim si ekip.
Kemi cilësi individuale, por sot diferencën e bënë edhe lojtarët që hynë nga stoli. Kemi nevojë për secilin futbollist. Duhet të jesh i gatshëm edhe kur nuk luan nga minuta e parë” , deklaroi Xhaka, transmeton mediumi zviceran “Blick”. Mesfushori me përvojë u ndal edhe te kritikat dhe debatet që janë zhvilluar rreth tij në ditët e fundit. “Njerëzit e dinë se kush jam.
Ka persona që nuk dinë të përballen me kritikat. Unë jam njeri që e kritikoj veten para se të kritikoj të tjerët. Gjithmonë ajo që them interpretohet ndryshe, por jam mësuar me këtë. Zvicra mund të jetë krenare që ka një lojtar me 148 ndeshje për fanellën kombëtare, që luan me krenari të madhe për vendin e tij. Ndoshta edhe më pëlqen pak të provokoj.
Më e rëndësishmja është që skuadra qëndron pas meje. Duhet të jemi të bashkuar dhe asgjë tjetër nuk më ka interesuar ndonjëherë”, tha ai. Xhaka pranoi se kritikat e prekin, pavarësisht përvojës së madhe që ka në futbollin ndërkombëtar. “Nuk është gjithmonë e lehtë. Do të gënjeja po të thosha se kritikat hyjnë në njërin vesh dhe dalin nga tjetri. Më dhembin. Ka gjëra që nuk i kuptoj.
Është shkruar shumë kohët e fundit dhe pati edhe një artikull të madh para dy ditësh që nuk mund ta injorosh. Për mua është e rëndësishme vetëm ajo që mund të ndikoj në fushë. Gjërat e tjera nuk i kontrolloj dot. Jam këtu për sukses dhe do ta kërkoj atë për aq kohë sa do të jem pjesë e kësaj skuadre”, p ërfundoi Xhaka.
