Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun H. Sinirlioğlu, në selinë e KFOR-it në Camp Film City në Prishtinë. Gjatë takimit, palët diskutuan për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet organizatave ndërkombëtare në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneralmajor Ulutash prezantoi vlerësimin e tij për zhvillimet e fundit në rajon dhe ritheksoi përkushtimin e misionit për të garantuar një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Po ashtu, në takim u diskutuan prioritetet kryesore të KFOR-it dhe rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për përmbushjen e objektivave të përbashkëta në fushën e sigurisë.
KFOR theksoi se vazhdon ta kryejë misionin e tij në përputhje me mandatin e dhënë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Në njoftim u rikujtua gjithashtu se KFOR vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e EULEX-it, në përputhje me përgjegjësitë e tyre si reagues të sigurisë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
