Ka ngjarje në jetën e njeriut që nuk përfaqësojnë vetëm një ndryshim vendi pune, por një kthesë të tërë jetësore. Për mua, fundi i shtatorit dhe fillimi i tetorit 1984 shënuan pikërisht një kthesë të tillë. Të shtunën, më , përfundova marrëdhënien e punës në Gjimnazin “Skënderbeu” të Preshevës, ku për gjashtë vjet pata ushtruar profesionin fisnik të profesorit të sociologjisë.
Të hënën, në mëngjes, pak minuta para orës shtatë, isha tashmë në vendin tim të ri të punës – në administratën e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë. Kjo nuk ishte vetëm një ditë e re pune. Ishte hyrja në një etapë krejtësisht të re të jetës sime profesionale, shoqërore dhe kombëtare. Që në çastet e para ndjeva një pritje të ngrohtë dhe tejet njerëzore.
Kolegët e rinj më uruan me sinqeritet për detyrën e re, më pritën me respekt dhe më krijuan ndjesinë se isha pjesë e tyre që nga dita e parë. Pas prezantimeve të para, të gjithë së bashku zbritëm në hollin e madh të ndërtesës së Kuvendit, ku ndodhej bufeja e institucionit.
Aty, gjatë kafesë së mëngjesit, pata rastin të njihesha me atmosferën e re të punës, me kolegët dhe me kulturën institucionale të administratës së Kuvendit. Pikërisht në ato çaste fillova ta ndieja ndryshimin rrënjësor midis dy botëve profesionale. Në Gjimnazin “Skënderbeu” dita fillonte me zilen e parë dhe me gumëzhimën karakteristike të qindra nxënësve që mbushnin korridoret.
Zëri i tyre, pyetjet, të qeshurat dhe dinamika rinore krijonin një atmosferë të gjallë, që ishte bërë pjesë e pandashme e jetës sime të përditshme. Ndërsa në administratën e Kuvendit mbretëronte një qetësi krejt tjetër. Në vend të zhurmës së korridoreve shkollore dëgjoheshin hapa të matur, biseda të ulëta dhe ritmi i disiplinuar i një institucioni të lartë shtetëror.
Dosjet, dokumentet, përkthimet dhe procedurat administrative kishin zëvendësuar ditarët e klasave, librat pedagogjikë dhe ligjëratat para nxënësve. Ishte një ndryshim i madh psikologjik. Transferimi im, në të vërtetë, ishte i dyfishtë. Së pari, ishte një transferim gjeografik – nga Presheva në Prishtinë.
Së dyti, ishte një transformim profesional – nga arsimi në administratën më të lartë institucionale të Kosovës. Ky kalim kërkonte jo vetëm përshtatje profesionale, por edhe një mënyrë të re të të menduarit, të komunikimit dhe të organizimit të jetës. Deri atëherë Prishtinën e kisha vizituar vetëm pak herë.
Vizitat kishin qenë të shkurtra; zakonisht kthehesha në Preshevë brenda së njëjtës ditë. Për këtë arsye nuk e kisha përjetuar ritmin e saj të përditshëm. Tani gjithçka ishte ndryshe! Prishtina më dukej si një qendër e madhe universitare, administrative, politike dhe kulturore, shumë më dinamike sesa qyteti im i lindjes, por e ndryshme nga jeta ime studentore në Sarajevë.
Që në ditët e para më bënte përshtypje fakti se në rrugë, në institucionet shtetërore apo në objektet publike takoja personalitete që deri atëherë i njihja vetëm nga gazetat, televizioni apo nga kronikat politike. Për një të ri që vinte nga Presheva, kjo krijonte ndjesinë se ndodhej në zemër të zhvillimeve politike të Kosovës.
Çdo ditë kuptoja më mirë se tashmë isha pjesë e një institucioni ku merreshin vendime me rëndësi për të ardhmen politike, ekonomike dhe kulturore të vendit. Një nga kënaqësitë më të mëdha ishte afërsia e ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Kisha qenë gjithmonë i apasionuar pas artit dhe kulturës, prandaj mundësia për të ndjekur rregullisht shfaqjet teatrore ishte një privilegj i veçantë.
Çdo premierë, çdo dramë, çdo interpretim artistik ishte për mua një shkollë tjetër, këtë herë estetike dhe kulturore. Teatri u bë pjesë e jetës sime javore. Ai ndikoi ndjeshëm në formimin tim kulturor dhe në mënyrën se si e perceptoja shoqërinë. Megjithatë, krahas këtyre përjetimeve pozitive, kishte edhe dukuri që më habitnin. Një ndër to ishte gjendja në stacionet e autobusëve.
Në orët e përfundimit të punës krijoheshin turma të mëdha njerëzish. Shtyrjet, rrëmuja dhe gara për të hyrë në autobus ishin një pamje që e shihja pothuajse çdo ditë. Shumë qytetarë mbeteshin duke pritur autobusin tjetër, ndërsa të tjerë detyroheshin të udhëtonin në kushte jo të përshtatshme.
Si sociolog i ri, nuk e shihja këtë vetëm si problem transporti, por më tepër si dobësi e sistemit shoqërorë e politik të Kosovës. E shihja si pasojë të një modeli ekonomik dhe shoqëror të ngurtë dhe tepër të centralizuar. Në Preshevë situata ishte ndryshe. Përveç autobusëve, funksiononin taksitë dhe automjetet private të transportit, të njohura si “kombi”.
Ato e lehtësonin ndjeshëm qarkullimin e qytetarëve. Pyetja që më lindte natyrshëm ishte: përse një model i tillë nuk lejohej edhe në Kosovë? Lejimi i transportit privat jo vetëm që do të zvogëlonte mbingarkesën në transportin publik, por do të krijonte edhe qindra vende pune pa ngarkuar buxhetin shtetëror me investime shtesë.
Sot, pas më shumë se katër dekadash, bindem edhe më shumë se një zgjidhje e tillë do të kishte qenë ekonomikisht racionale dhe shoqërisht e dobishme. Një tjetër dallim që më ra menjëherë në sy ishte furnizimi i tregut. Në Preshevë ekzistonte një rrjet shumë më i zhvilluar i dyqaneve private të pemëve dhe perimeve dhe mallrave të konsumit të përditshëm.
Në Prishtinë, përkundrazi, shumë produkte mungonin ose gjendeshin me vështirësi. Edhe këtu pyetja ime ishte e njëjtë: përse nuk lejohej zhvillimi më i madh i iniciativës private? Nga këndvështrimi i sotëm, këto kufizime pasqyronin kufijtë e modelit socialist të ekonomisë së planifikuar, i cili shpesh nuk arrinte t’u përgjigjej nevojave reale të qytetarëve.
Një aspekt tjetër që më bëri përshtypje ishte pesha shumë më e madhe që kishte anëtarësia në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë në Kosovë, krahasuar me viset e tjera të Jugosllavisë. Në praktikë, ajo perceptohej jo vetëm si përkatësi politike, por shpesh edhe si kriter për avancim profesional dhe institucional.
Kjo më bëri të reflektoj mbi raportin ndërmjet meritokracisë dhe ndikimit politik në administratën publike. Një përjetim që nuk e harroj lidhet me ceremoninë mortore të nënës së një kolegu nga Mitrovica. Pas varrimit, sipas traditës islame, u bë lutja përfundimtare – “Amini”. Instinktivisht prisja që të gjithë të ngrinin duart gjatë lutjes, siç ishte traditë në Preshevë.
Por vura re se shumica nuk e bënë këtë. Në fillim mbeta i habitur! Kjo më mësoi se identiteti shqiptar është unik në thelb, por jashtëzakonisht i pasur në shprehjet dhe specifikat e tij lokale. Ndoshta dallimi më interesant ishte ai gjuhësor. Edhe pse flisnim të gjithë shqipen, dallimet në shqiptim, intonacion dhe fjalor ishin të dukshme.
Dialekti i Preshevës kishte karakteristika fonetike dhe leksikore që ndryshonin nga të folurit e Prishtinës. Më tërhiqte veçanërisht shqiptimi karakteristik i zanores “e” në disa fjalë, si p.sh. “pesë”, ku në të folmen e Kosovës kjo zanore merr një ngarkesë fonetike më të theksuar sesa në Preshevë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi.
Për një sociolog, si puna ime, këto nuk ishin vetëm dallime gjuhësore. Ato ishin dëshmi të zhvillimeve historike, kulturore dhe shoqërore që kishin formësuar komunitete shqiptare në hapësira të ndryshme. Me kalimin e muajve fillova jo vetëm t’i kuptoja këto dallime, por edhe t’i vlerësoja ato si pasuri të gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare.
Sot, kur e rikujtoj fillimin tim në Prishtinë, nuk më kujtohet vetëm dita e parë e punës. Më kujtohet një proces i tërë transformimi personal.
Nga profesori që ligjëronte sociologjinë në klasat e Gjimnazit “Skënderbeu” në Preshevë, u shndërrova gradualisht në një administrator institucional, përkthyes dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në jetën politike e kushtetuese të Kosovës në Prishtinë. Ky transformim nuk ndodhi brenda një dite.
Ai ishte rezultat i përvojave të përditshme, i vëzhgimit kritik të realitetit dhe i dëshirës për të mësuar vazhdimisht. Prishtina nuk ishte vetëm qyteti ku fillova një punë të re. Ajo u bë universiteti im i dytë i jetës!
Aty mësova se institucionet nuk ndërtohen vetëm me ligje e rregullore, por edhe me kulturë pune, me përgjegjësi qytetare, me tolerancë ndaj dallimeve dhe me gatishmëri për të kuptuar botën përtej përvojës personale. Në këtë kuptim, transferimi im i vitit 1984 nuk ishte thjesht një ndryshim adrese apo profesi oni.
Ai ishte fillimi i një kapitulli të ri, i cili do të përcaktonte rrjedhën e gjithë jetës sime profesionale dhe publike në vitet që pasuan. Preshevë,
