Qeveria në detyrë e ka dorëzuar në Komisionin Europian raportin mbi zbatimin e hapave reformues në kuadër të Planit të Rritjes. Me vlerësimin e këtij raporti do të dihet përfundimisht se sa para ka humbur e sa ka fituar Kosova nga pakoja e Planit të Rritjes. Kështu kanë treguar për KALLXO.com nga zyra e kryenegociatorit me BE-në, Jeton Zulfaj.
Sot ka qenë afati i fundit për dorëzimin e këtij raporti për reformat që afatin e fundit të zbatimit e patën datën 30 qershor. Kosova llogaritet se ka humbur mbi 40 milionë euro, ndërsa po pritet vetëm vendimi përfundimtar i Brukselit. Krejt kjo ka ndodhur si pasojë e një cikli të vazhdueshëm zgjedhor dhe mungesës së ujdisë politike që bllokoi dhe vazhdon ta paralizojë Kuvendin.
Konfirmimi zyrtar për humbjen e mundshme të parave erdhi nga vetë kryenegociatori i Kosovës për BE-në, Jeton Zulfaj, më , një ditë pasi përfundoi periudha grejs. Për Kosovën, agjenda e reformave përmban gjithsej 111 hapa me rreth 300 nënhapa. Nga 13 hapat që kishin afat deri në ditën e fundit të qershorit, Qeveria konsideron se ka zbatuar 7 prej tyre, ndërsa 6 dështuan të zbatohen.
Zulfaj sqaroi se nga 6 hapat e mbetur, pesë prej tyre vareshin direkt nga miratimi i ligjeve në Kuvend, ndërsa i mbeturi – Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar – mbeti peng i procedurave pasi nuk mund të miratohej nga një Qeveri në detyrë. “Për hapat që nuk kanë arritur të përfundohen në periudhën shtesë, mjetet e dedikuara për përfundimin e tyre humbin.
Nga 13 hapat që kishin afat shtesë deri më 30 qershor, shtatë konsiderohen të zbatuar, ndërkaq gjashtë nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht… Kostoja llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro”- deklaroi Zulfaj.
Zëdhënësi i Komisionit Europian, Guillaume Mercier, në një konferencë për media, ka sqaruar se pavarësisht skadimit të këtij afati që lidhet me kërkesën e dytë për pagesë, Brukseli zyrtar fillimisht do të bëjë vlerësimin e raporteve që do të dërgohen nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Mercier ka bërë të ditur se procesi tani kalon në fazën e shqyrtimit të raporteve që vijnë nga rajoni.
“Pra, ajo që do të bëjmë tani është që me të vërtetë do të shqyrtojmë reformat që janë arritur deri më tani lidhur me këtë periudhë grejs, dhe potencialisht mund të shohim mundësinë e rialokimit të financimit. Por në këtë fazë, është shumë e rëndësishme të përmendet se nuk është marrë asnjë vendim” – ka deklaruar Mercier më .
Kosova ka tërhequr 62 milionë euro si parafinancim (7% e shumës), por pjesa tjetër kushtëzohet me hapat e agjendës. Gjashtë reformat që nuk zbatuan dhe llogariten se kushtojnë mbi 40 milionë euro: janë Ligjet për energjinë dhe energjinë elektrike së bashku me aktet nënligjore; Ligji për ndihmën shtetërore dhe Sistemi i Kontrollit të Ndihmës Shtetërore; Ligji për inovacion dhe ndërmarrësi (Këshilli Kombëtar për Inovacion dhe Fondi i Inovacionit); Legjislacioni kornizë për falimentimin/paaftësinë paguese dhe Ligji për kamatëvonesat; Pakoja prej 6 ligjeve jetike (përfshirë ligjet për KPK-në, KGJK-në, Akademinë e Drejtësisë, përgjegjësinë disiplinore, rekrutimin dhe kontrollin e integritetit); dhe, Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar.
Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro: 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë. Më , Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Europian – Planin e Rritjes.
Kjo është një ndër marrëveshjet me vlerën më të madhe dhe më të rëndësishmet që përfiton Kosova. Për shkak të ngërçit të gjatë politik dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Plani i Rritjes kishte mbetur pa u ratifikuar për më shumë se një vit, duke mbajtur pezull shumën prej 882 milionë eurosh.
