“Lotë krokodili”, Fitore Pacolli i kundërpërgjigjet Hykmete Bajramit:

0%

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, i është kundërpërgjigjur nënkryetares së LDK-së, Hykmete Bajrami, pas kritikave të saj lidhur me gjendjen në Deponinë e Sferkës. Pacolli ka akuzuar Bajramin se po përpiqet të manipulojë opinionin publik dhe të shmangë përgjegjësinë e Komunës së Pejës për menaxhimin e deponisë.

Ajo ka theksuar se përpjekjet për ta lidhur situatën me procese që nuk kanë të bëjnë me menaxhimin aktual të deponisë, nuk e largojnë përgjegjësinë nga kryetari i Komunës së Pejës. Pacolli ka shtuar se është e lehtë të shpërndahet përgjegjësia te institucionet që po punojnë për zgjidhjen e problemit, ndërsa ka ftuar Bajramin që t’i kërkojë llogari kryetarit të Pejës.

Postim i plotë: E nderuara nënkryetare e LDK-së, Hykmete Bajrami, bashkëpunëtore e ngushtë me njeriun që është përgjegjës për Deponinë e Sferkës, Gazmend Muhaxheri! Në vend se të derdhësh lotë krokodili duke përdorur fjalë melankolike për gjendjen në Deponinë e Sferkës, pra vendlindjes tënde, është mirë të flasësh me zotin Muhaxheri, i cili ka nën menaxhim këtë deponi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Përpjekja për ta manipuluar publikun me procese që nuk kanë fare lidhje me menaxhimin aktual të deponisë, siç është investimi që po përgatitet nga KMDK-ja e Qeveria për ta trajtuar këtë situatë, nuk mund ta shkarkojë përgjegjësinë që ka bashkëpartiaku yt në krye të Komunës së Pejës.

Është fort e kollajshme që si një centrifugë të provosh ta shpërndash fajin tek ata që po përpiqen ta adresojnë këtë situatë, vetëm për ta mjegulluar përgjegjësinë për menaxhim të kësaj deponie. Nëse të dhemb shpirti për vendlindjen siç e thua, do i shkoje në zyrë kryetarit të Pejës për ta pyetur pse nuk ndërmerr asnjë hap për ta trajtuar sado pak këtë deponi.

Në anën tjetër ne ju sigurojmë që kemi bërë hapa drejt zgjidhjes së qëndrueshme të çështjes së deponisë së Sferkës.

Burimi: Bota Sot