Shpërndaje në: Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka intensifikuar kontrollet zyrtare pas rasteve të raportuara për dyshime të helmimit të qytetarëve në Prishtinë dhe Han të Elezit.
Sipas njoftimit të AUV-së, inspektorët veterinarë kanë zhvilluar kontrolle emergjente në të dy lokacionet, duke inspektuar kushtet higjieno-sanitare, procedurat e vetëkontrollit të operatorëve, dokumentacionin, gjurmueshmërinë e produkteve dhe lëndëve të para, si dhe duke marrë mostra për analiza laboratorike mikrobiologjike.
Në Prishtinë janë marrë mostra të sosit të bardhë, qumështit dhe vezëve, ndërsa në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës nga objekti i shërbimit. Mostrat janë dërguar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa mostra e vezëve është dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në përputhje me procedurat zyrtare.
AUV bëri të ditur se analizat laboratorike janë ende në proces. Pas përfundimit të tyre dhe shqyrtimit të të gjitha provave të mbledhura gjatë kontrolleve, agjencia do të publikojë raportin përfundimtar. Nëse konstatohen shkelje të legjislacionit ose rrezik për shëndetin publik, do të ndërmerren masa administrative dhe ligjore ndaj operatorëve përgjegjës.
Agjencia rikujtoi se përgjegjësia kryesore për sigurinë ushqimore u takon operatorëve të biznesit ushqimor, të cilët janë të obliguar të respektojnë kushtet ligjore, të vendosin në treg vetëm produkte të sigurta, të zbatojnë sistemet e vetëkontrollit, të garantojnë gjurmueshmërinë e produkteve dhe të sigurojnë etiketim të rregullt.
Po ashtu, AUV theksoi rëndësinë e respektimit të kushteve të ruajtjes së ushqimeve dhe zinxhirit të ftohjes, veçanërisht gjatë temperaturave të larta të verës, kur rritet rreziku i prishjes së produkteve ushqimore.
Edhe Arbëri 1 j. më parë AUV-ja konstaton mospërputhje ligjore te qumështorja “Vita”, biznesi e mbyll fabrikën Agjencia u bëri thirrje edhe qytetarëve që gjatë blerjes të kontrollojnë etiketimin, afatin e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes së produkteve, si dhe t’i transportojnë e ruajnë ato sipas udhëzimeve të prodhuesit.
Sipas AUV-së, kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa çdo shkelje e kërkesave ligjore do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
