Media spanjolle në ekstazë pas triumfit ndaj Francës

0%

Fitorja 2:0 e Spanjës ndaj Francës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 ka pushtuar faqet e para të mediave spanjolle, të cilat e kanë përshkruar suksesin e “La Roja”-s si një arritje historike. Pas 16 vitesh, kombëtarja spanjolle rikthehet në finalen e Botërorit, duke ndezur entuziazmin në të gjithë vendin.

Gazeta prestigjioze El País i kushtoi titullin kryesor triumfit të skuadrës së Luis de la Fuente: “Spanjë e mrekullueshme”, duke vlerësuar paraqitjen e shkëlqyer të ekipit që mposhti bindshëm favoriten Francë falë golave të Mikel Oyarzabal nga penalltia dhe Pedro Porro. Sipas së përditshmes, “La Roja” do të luftojë sërish për t’u shpallur kampione e botës, 16 vjet pas finales së fundit.

Edhe El Mundo vuri në pah forcën e skuadrës, duke shkruar se “futbolli magjepsës i Spanjës e errësoi Francën dhe e riktheu kombëtaren në finalen e Botërorit”. ABC hapi faqen e parë me titullin “Spanja, në finalen e Botërorit”, të shoqëruar me foton e Oyarzabal duke festuar golin e avantazhit nga pika e bardhë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gazeta kujtoi gjithashtu golin e Pedro Porro në pjesën e dytë dhe rrjetën e anuluar të Lamine Yamal për pozicion jashtë loje. Superlativa ishte edhe e përditshmja sportive Marca, e cila e cilësoi suksesin si “Një mësim historik” ndaj Francës, duke i kushtuar faqen e parë një prej fitoreve më të rëndësishme të viteve të fundit për futbollin spanjoll.

Ndërkohë, AS zgjodhi titullin “Madhështore!”, duke shkruar se “një Spanjë e jashtëzakonshme e la Francën pa përgjigje dhe siguroi me meritë një vend në finalen e Nju Jorkut”. Po me të njëjtin entuziazëm reaguan edhe gazetat sportive Mundo Deportivo dhe Sport, të cilat në faqet e para përdorën të njëjtën thirrje: “Sa të mëdhenj!”, në nder të paraqitjes së shkëlqyer të kombëtares spanjolle.

Triumfi ndaj Francës ka rritur ndjeshëm optimizmin në Spanjë, ku mediat dhe tifozët tashmë ëndërrojnë rikthimin e titullit të kampionit të botës pas suksesit historik të vitit 2010.

Burimi: Bota Sot