Qeveria në detyrë e Kosovës, përmes një mbledhje elektronike të mbajtur më , ka miratuar vendimin për emërimin e Ragmi Dalipit, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit. Në bazë të biografisë së tij online, Ragmi Dalipi është Zyrtar i Lartë i Teknologjisë Informative në Fondin e Sigurimit të Depozitave të Kosovës.
Ai ka përfunduar studimet për Kompjuterikë në Universitetin e Prishtinës dhe ka rreth 20 vite përvojë pune profesionale në Teknologji Informative, kryesisht në sektorin privat si dhe në organizatat ndërkombëtare në Kosovë. “Ishte i përkushtuar për rreth 17 vite në sektorin bankar, ku punoi në disa nga bankat më të njohura në Kosovë.
U angazhua në shumë projekte të përbashkëta bankare në zbatimin e teknologjisëe, si dhe në digjitalizimin dhe lehtësimin e bankingut”- shkruan në biografinë e publikuar në Fondin e Sigurimit të Depozitave.
Përveç këtyre, shkruan se Dalipi ka përvojë me disa nga sistemet bankare të bankave të ndryshme komerciale dhe ka marrë pjesë në dizajnimin e proceseve dhe re-inxhineringut të sistemit bankar.
Agjencia për Shoqërinë e Informacionit është institucioni qeveritar përgjegjës për zhvillimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në administratën shtetërore.
Detyrat kryesore të ASHI-së përfshijnë: menaxhimin e platformës shtetërore e-Kosova, përmes së cilës qytetarët marrin shërbime elektronike; mirëmbajtjen e infrastrukturës qendrore të IT-së për institucionet publike; ofrimin e shërbimeve të identifikimit elektronik dhe autentifikimit për qytetarët dhe institucionet; zhvillimin e projekteve të digjitalizimit dhe transformimit digjital të administratës publike; dhe, sigurimin e funksionimit të qendrave shtetërore të të dhënave dhe sistemeve të përbashkëta të institucioneve.
