Dyshimi për helmim, Sach Pizza publikon dokumentet: Nuk u

0%

Ditë më parë disa persona dyshohet se u helmuan nga ushqimi, pasi kanë konsumuar sanduiçë në një nga pikat e rrjetit të restoranteve “Sach Pizza” në Prishtinë.

Në lidhje me këtë rast sot kanë reaguar kompania Sachpizza e cila ka publikuar rezultatet zyrtare laboratorike të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), duke bërë të ditur se në mostrat ushqimore të analizuara nuk janë identifikuar baktere patogjene.

Në reagim thuhet se kompania shprehet se ditët e fundit kanë qenë ndër më të vështirat dhe u ka shprehur keqardhje të gjithë personave që kanë përjetuar shqetësime shëndetësore, duke u uruar shërim të shpejtë dhe të plotë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sachpizza thekson se, që nga raportimi i rasteve të para, ka bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe institucionet e tjera kompetente, duke vënë në dispozicion të gjitha dokumentet, mostrat dhe informacionet e kërkuara.

Për më shumë lexoni të plotë komunikatën e Sach Caffe: Rezultatet zyrtare të IKSHPK-së: Në mostrat ushqimore të analizuara në Sachpizza nuk u identifikuan baktere patogjene – kompania publikon dokumentet zyrtare dhe masat e ndërmarra Ditët e fundit kanë qenë ndër më të vështirat në historinë e Sachpizza.

Së pari, dëshirojmë t’u shprehim keqardhjen tonë të sinqertë të gjithë personave, klientëve tanë dhe familjeve të tyre që kanë përjetuar shqetësime shëndetësore gjatë ditëve të fundit. Urojmë që secili prej tyre të ketë një shërim sa më të shpejtë dhe të plotë. Askush që është ndier keq nuk ka bërë asgjë të gabuar.

Përkundrazi, duke kërkuar ndihmë dhe duke njoftuar institucionet, ka vepruar drejt. Shëndeti i qytetarëve është mbi çdo interes tjetër dhe kështu duhet të jetë gjithmonë.

Që nga momenti i parë kur u raportuan rastet, kemi bashkëpunuar pa asnjë rezervë me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe të gjitha institucionet kompetente.

Kemi vënë në dispozicion çdo dokument, çdo mostër dhe çdo informacion të kërkuar, sepse shëndeti i klientëve tanë ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë absolut. Sot, më , kemi pranuar rezultatet laboratorike zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Rezultatet tregojnë se në asnjërën nga mostrat ushqimore të analizuara në Sachpizza nuk janë identifikuar baktere patogjene. Konkretisht, analizat nuk kanë identifikuar Salmonella spp., Escherichia coli dhe Staphylococcus aureus, ndërsa analizat e strishove të marra nga sipërfaqet e punës, pajisjet dhe duart e stafit nuk kanë evidentuar baktere patogjene.

Sipas informacioneve dhe dokumenteve zyrtare që na janë komunikuar nga institucionet kompetente, pacientë të trajtuar në QKUK kanë rezultuar pozitivë me Salmonella Enteritidis. Gjatë ditëve të fundit në opinionin publik kanë qarkulluar shifra të ndryshme për numrin e personave të prekur.

Ne kemi zgjedhur të mos spekulojmë dhe t’u referohemi vetëm informacioneve dhe dokumenteve zyrtare të institucioneve kompetente. Po ashtu, deri në këtë fazë të hetimit, nuk është konfirmuar një lidhje ndërmjet mostrave ushqimore të analizuara në Sachpizza dhe rezultateve laboratorike të pacientëve.

Hetimi epidemiologjik vazhdon dhe përfundimi përfundimtar i takon vetëm institucioneve kompetente. Dëshirojmë të theksojmë se për produktin që është përmendur më së shumti gjatë këtyre ditëve, sosin e bardhë, realizojmë analiza të rregullta mikrobiologjike në laborator të akredituar.

Analiza e fundit, e kryer më , vetëm pak ditë para marrjes së mostrave nga institucionet kompetente, e kishte vlerësuar këtë produkt brenda parametrave të lejuar mikrobiologjikë. Pavarësisht këtij rezultati, nuk jemi mbështetur vetëm në analizat tona.

Përkundrazi, kemi respektuar plotësisht gjetjet e institucioneve kompetente dhe kemi ndërmarrë menjëherë masa shtesë për forcimin e proceseve të prodhimit, kontrollit dhe sigurisë ushqimore. Nga dita e parë kemi kërkuar vetëm një gjë: të flasin faktet.

Fatkeqësisht, përpara se rezultatet laboratorike dhe hetimet të përfundonin, emri i Sachpizza u bë objekt i një ekspozimi të jashtëzakonshëm publik. Brenda pak orësh u publikuan dhjetëra lajme, komente dhe interpretime që krijuan bindjen se përgjegjësia ishte tashmë e përcaktuar, ndërkohë që institucionet kompetente ende po zhvillonin analizat dhe hetimin epidemiologjik.

Ne e kuptojmë interesin publik për një ngjarje të tillë dhe respektojmë plotësisht rolin e medias për të informuar qytetarët. Megjithatë, besojmë se raportimi duhet të mbështetet gjithmonë në fakte të verifikuara dhe jo në përfundime të nxjerra përpara se të publikohen rezultatet zyrtare.

Asnjë biznes dhe asnjë qytetar nuk duhet të shpallet fajtor pa prova zyrtare dhe pa përfundimin e hetimeve nga institucionet kompetente. Ky është një parim që mbron drejtësinë, besimin dhe interesin e të gjithëve. Pavarësisht kësaj periudhe të vështirë, kemi zgjedhur të mos merremi me polemika.

Kemi zgjedhur të bashkëpunojmë me institucionet dhe, njëkohësisht, të ndërmarrim masa konkrete për ta forcuar edhe më tej sigurinë ushqimore në çdo hallkë të operimit tonë.

Përtej kërkesave ligjore, gjatë këtyre ditëve kemi ndërmarrë një sërë masash shtesë: kemi rishikuar tërësisht proceset e prodhimit dhe trajtimit të produkteve; kemi forcuar procedurat HACCP dhe kontrollet e brendshme të cilësisë; kemi forcuar procedurat për kontrollin dhe eliminimin e menjëhershëm të çdo produkti që nuk përmbush standardet tona; kemi shtuar kontrollet e temperaturës, higjienës dhe gjurmueshmërisë në të gjitha pikat; kemi intensifikuar analizat laboratorike, auditimet e brendshme dhe kontrollet operative; kemi shtuar monitorimin e vazhdueshëm të zbatimit të procedurave në të gjitha njësitë.

Sot, të gjitha pikat e Sachpizza vazhdojnë punën normalisht. Çdo produkt që u shërbehet klientëve përgatitet me lëndë të para të freskëta, nën kontrolle të vazhdueshme dhe sipas procedurave të cilat janë forcuar edhe më tej gjatë këtyre ditëve. Klientët tanë mund të kenë besim se siguria ushqimore mbetet prioriteti ynë absolut.

Kjo ngjarje na ka shtyrë të forcojmë edhe më tej sistemin tonë të kontrollit, me qëllimin e vetëm që të vazhdojmë t’u ofrojmë klientëve tanë produkte të sigurta dhe cilësore. Për më shumë se 17 vjet, kemi pasur privilegjin t’u shërbejmë miliona klientëve në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Ky besim është ndërtuar me punë, përgjegjësi dhe transparencë çdo ditë dhe është përgjegjësia jonë më e madhe ta ruajmë atë.

Në funksion të transparencës së plotë, bashkë me këtë reagim po publikojmë rezultatet laboratorike zyrtare të IKSHPK-së, si dhe rezultatet e analizave tona të rregullta të kontrollit të cilësisë, në mënyrë që opinioni të informohet drejtpërdrejt mbi bazën e dokumenteve zyrtare.

Falënderojmë institucionet për punën e tyre profesionale, si dhe mijëra klientët, partnerët dhe qytetarët që kanë pritur rezultatet zyrtare përpara se të nxjerrin përfundime. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë plotësisht me institucionet deri në përfundimin e hetimeve dhe do të vazhdojmë të informojmë publikun me transparencë për çdo zhvillim të mëtejmë.

Për më shumë se 17 vjet kemi shërbyer dhe fituar besimin e miliona klientëve. Kjo ngjarje nuk do të na largojë nga parimet mbi të cilat është ndërtuar Sachpizza: cilësia, përgjegjësia dhe transparenca. Besimi ndërtohet me vite. Përgjegjësia dëshmohet me vepra. Ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë të dyja .

Burimi: Telegrafi