Kur bëhet fjalë për finale, Luis de la Fuente është kthyer në një garanci për futbollin spanjoll. Trajneri i “La Roja”-s ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke e çuar Spanjën në një finale në çdo vit që prej marrjes së drejtimit të kombëtares së parë.
Tani, pas kualifikimit në finalen e Kupës së Botës, tekniku spanjoll është vetëm 90 minuta larg trofeut më të rëndësishëm të futbollit dhe një vendi të përhershëm në historinë e sportit.
Finalja e së dielës do të jetë e nënta në karrierën e De la Fuentes në krye të kombëtareve të Spanjës, një statistikë që e vendos atë mes trajnerëve më të suksesshëm që ka prodhuar ndonjëherë futbolli spanjoll. Bilanci i tij është mbresëlënës.
Në tetë finalet e deritanishme ai ka fituar gjashtë trofe, ndërsa është mposhtur vetëm dy herë, në finalen e Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, ku Spanja u mund nga Brazili në kohën shtesë dhe fitoi medaljen e argjendtë, si edhe në finalen e Ligës së Kombeve sezonin e kaluar, ku Portugalia triumfoi pas gjuajtjeve të penalltive.
Rrugëtimi i tij i suksesshëm nisi në vitin 2015, kur drejtoi Spanjën U-19 drejt titullit kampion të Evropës pas fitores 2-0 ndaj Rusisë. Në atë skuadër spikasnin emra si Rodri dhe Mikel Merino, të cilët sot janë ndër shtyllat e kombëtares së parë. Tre vite më vonë, De la Fuente fitoi edhe Lojërat Mesdhetare në Tarragona, ku Spanja mposhti Italinë 3-2 falë tregolëshit të Abel Ruiz.
Në vitin 2019 erdhi një tjetër sukses i madh, këtë herë me Kombëtaren U-21, e cila fitoi Kampionatin Evropian pasi mundi Gjermaninë 2-1. Unai Simón dhe Mikel Merino kanë qenë pjesë e çdo finaleje të drejtuar nga De la Fuente.
Në vitin 2023, në sezonin e tij të parë si trajner i kombëtares së parë, ai fitoi Ligën e Kombeve, ndërsa një vit më vonë ngriti trofeun e Kampionatit Evropian pas triumfit ndaj Anglisë në finale. E vetmja pengesë në këtë seri fitoresh erdhi në finalen e fundit të Ligës së Kombeve, ku Portugalia doli fituese pas penalltive. Tani, De la Fuente ka një tjetër mundësi për të hyrë në histori.
Nëse Spanja triumfon në finalen e Kupës së Botës, tekniku 64-vjeçar do t’i shtojë koleksionit trofeun më të lakmuar të futbolli.
