​Zbulohet sheqeri në hapësirën mes yjeve, rriten shpresat për të

0%

Astronomët kanë zbuluar një lloj sheqeri në hapësirën mes yjeve, një zbulim që mund të ndihmojë në zbardhjen e misterit të origjinës së jetës në Univers. Sheqeri, i quajtur eritrulozë, është identifikuar në retë e gazit dhe pluhurit që ndodhen mes yjeve në galaktikën tonë, Rrugën e Qumështit.

Ky lloj sheqeri gjendet edhe në natyrë, përfshirë te mjedrat, si dhe përdoret në disa produkte kozmetike për vetë-nxirje. Zbulimi u bë nga një ekip studiuesish që përdorën dy radioteleskopë në Spanjë për të analizuar një re të madhe gazi pranë qendrës së galaktikës sonë.

Duke krahasuar sinjalet e marra nga teleskopët me analiza laboratorike, ata arritën të konfirmojnë praninë e këtij sheqeri në gjendje të gaztë. Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën shkencore Nature Astronomy, raporton Associated Press.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Shkencëtarët theksojnë se sheqernat janë ndër përbërësit më të rëndësishëm për jetën, pasi marrin pjesë në proceset biologjike dhe në ndërtimin e ADN-së, e jo vetëm për ëmbëlsimin e ushqimeve dhe pijeve që i konsumojmë.

Edhe pse eritruloza nuk është një molekulë thelbësore për jetën, ajo mund të shndërrohet në një formë që besohet se ka luajtur rol në krijimin e kushteve të para për zhvillimin e jetës në Tokë.

Sipas studiuesve, ky është një nga sheqernat më kompleksë të zbuluar deri më sot në hapësirë, në një rajon që madje është përshkuar nga Voyager të NASA-s, mjetet hapësinore që kanë udhëtuar më larg se çdo tjetër nga Toka.

Zbulimi mbështet teorinë se përbërësit bazë të jetës mund të kenë qenë të pranishëm në materialin nga i cili u formua sistemi diellor, dhe jo domosdoshmërish të jenë sjellë nga kometat apo asteroidët.

Autorja e studimit, astrofizikania Izaskun Jiménez-Serra nga Qendra e Astrobiologjisë në Spanjë, tha se prania e këtij sheqeri në një rajon të galaktikës sugjeron se molekula të ngjashme mund të ekzistojnë edhe në pjesë të tjera të Universit.

“Përbërësit kryesorë për origjinën e jetës mund të jenë të pranishëm edhe në rajone të tjera të galaktikës, duke rritur mundësinë që jeta të zhvillohet edhe diku tjetër në univers,” u shpreh Jiménez-Serra.

Burimi: Bota Sot