Lionel Scaloni ka folur me optimizëm në prag të gjysmëfinales së Kupës së Botës 2026 ndaj Anglisë, duke theksuar se Argjentina është gati për sfidën pavarësisht dyshimeve që janë ngritur për gjendjen e ekipit. Trajneri i kampionëve të botës hodhi poshtë pretendimet se skuadra e tij nuk është në formën e duhur, duke kujtuar se arritja deri në këtë fazë është dëshmi e punës së bërë.
“Nuk jemi në një gjendje aq të keqe sa thonë njerëzit. Nëse kemi arritur deri këtu, do të thotë se kemi bërë diçka mirë. Jam shumë mirënjohës ndaj këtyre djemve që na kanë sjellë tre trofe dhe tani edhe një tjetër gjysmëfinale. Jemi vetëm një hap larg objektivit tonë dhe do të japim gjithçka për ta arritur”.
Tekniku argjentinas zbuloi se stafi ka analizuar ndeshjen e fundit dhe është përgatitur për një përballje krejtësisht ndryshe ndaj Anglisë. “E kemi analizuar ndeshjen e kaluar dhe e kemi rishikuar, siç bëjmë gjithmonë. Kjo do të jetë një ndeshje ndryshe, ashtu si të gjitha të tjerat, sepse nuk ka dy ndeshje të njëjta.
Do të përpiqemi të përmirësojmë atë që nuk funksionoi, kemi diskutuar për këtë”. “Jemi në gjendje të mirë, kemi dëshirë të jashtëzakonshme, entuziazëm të palëkundur dhe mirënjohje të pafund për këta futbollistë që na kanë çuar sërish në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, pavarësisht sa i vështirë ka qenë rrugëtimi. Do të përballemi me një kundërshtar shumë të fortë”.
Në fund, Scaloni tha se nuk është i shqetësuar për gjendjen fizike të skuadrës, pasi për të më e rëndësishmja është fakti që Argjentina ka arritur sërish mes katër ekipeve më të mira të botës. “Nuk po mendoj nëse jemi në gjendjen që do të doja të ishim. Një muaj e gjysmë më parë do ta kisha pranuar çdo skenar që do të na çonte në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Nuk më intereson në çfarë gjendjeje jemi tani dhe nuk i fajësoj lojtarët për asgjë. Do ta kisha pranuar këtë situatë dhe tani jam shumë i frymëzuar dhe i lumtur. Nuk po e shikoj gjendjen tonë, ne do të luajmë”, deklaroi ai. Përndryshe, përballja do të nisë nga ora ./ Telegrafi
