Gazeta prestigjioze britanike, The Guardian , i ka kushtuar një artikull reagimit të këngëtares me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ndaj protestave kundër projektit të resortit turistik të mbështetur nga investitorë të lidhur me familjen Trump në Shqipëri.
Në një bisedë me akademiken dhe shkrimtaren shqiptare, Lea Ypi, në ‘podcast’-in e saj ‘Service95 Book Club’, Lipa e cilësoi lëvizjen qytetare kundër projektit si ‘frymëzuese’, duke vlerësuar angazhimin e njerëzve për mbrojtjen e mjedisit.
Këngëtarja u shpreh se shqetësimi kryesor lidhet me mënyrën se si u ndryshuan ligjet për të lejuar ndërtime në zona të ndjeshme natyrore pa një konsultim të gjerë publik. Sipas saj, transparenca dhe mbrojtja e mjedisit janë çështje që duhet të merren seriozisht.
Projekti në fjalë parashikon zhvillimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit dhe ndërtimin e mijëra vilave në zonën e Zvërnecit, territore që konsiderohen zona me rëndësi të veçantë natyrore për ekosistemet dhe biodiversitetin.
The Guardian thekson se projekti, me vlerë rreth 1.6 miliardë euro, mbështetet nga investitorë të udhëhequr nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump dhe bashkëshortja e tij Ivanka Trump. Protestat në Shqipëri Ndërkohë, qeveria shqiptare e ka cilësuar investimin si një mundësi të madhe ekonomike për vendin.
Reagimi i artistes u mirëprit nga organizatat mjedisore dhe aktivistët, të cilët e konsideruan deklaratën e saj një mbështetje të rëndësishme, veçanërisht për të rinjtë shqiptarë që e shohin këngëtaren si një figurë frymëzuese.
Pamje nga Zvërneci Sipas The Guardian, protestat në Tiranë kanë hyrë në javën e gjashtë, ndërsa kundërshtarët e projektit kërkojnë më shumë transparencë dhe mbrojtje të zonave natyrore. Organizatorët e projektit, nga ana tjetër, kanë deklaruar se synojnë një zhvillim të përgjegjshëm, krijimin e vendeve të punës dhe vlerë afatgjatë për komunitetet lokale.
