Një konflikt mes familjarëve në Gjakovë ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe bastisjen e një shtëpie, ku janë sekuestruar armë dhe municion, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të dyshuar në këtë rast janë S.M., rreth 49-vjeçar dhe H.M., rreth 43-vjeçar, ndërsa viktima T.H., rreth 55-vjeçar dhe P.H., rreth 24-vjeçar.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur në fshatin Skivjan, ku viktima T.H. kishte shkuar për vizitë te vëllai i saj. Gjatë qëndrimit në banesë, një debat verbal ka eskaluar në konflikt fizik. Viktima ka deklaruar para hetuesve se vëllai i saj e ka kapur për flokësh dhe është përpjekur ta nxjerrë me forcë nga shtëpia.
Nga ana tjetër, i dyshuari H.M. i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se mosmarrëveshjet mes tyre janë të kahershme. Zhvillimi mori kthesë pasi P.H. deklaroi se daja i saj mbante armë zjarri në shtëpi.
Pas këtij informacioni, hetuesit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kryen bastisje në banesën ku jetonin të dy të dyshuarit, ku gjetën dhe sekuestruan një pistoletë, dy karikatorë dhe 50 fishekë të kalibrit 9×19 mm. Sipas burimeve të Sinjalit, arma ishte e vendosur jashtë kasafortës së sigurisë.
Gjatë procedurës, S.M. ka deklaruar se arma i përket vëllait të saj, i cili ndodhet jashtë Kosovës dhe se ai posedon leje për armë. Megjithatë, gjatë bastisjes nuk është gjetur leja, por vetëm dokumentacioni për blerjen e armës.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosja” dhe “Lëndim i lehtë trupor”. Pas intervistimit, S.M. dhe H.M. janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
