Sot mbushen 10 vjet nga përpjekja për grusht shtet në Turqi, e cila u zhvillua natën mes 15 dhe 16 korrikut 2016 dhe la pas të vrarë e shumë të plagosur. Përpjekja për grusht shtet u organizua nga një pjesë e ushtrisë turke, e cila nxori tanke në rrugë, bllokoi ura në Stamboll, bombardoi ndërtesën e Parlamentit në Ankara dhe ndërmori sulme ndaj institucioneve shtetërore.
Puçistët tentuan gjithashtu ta arrestonin presidentin e atëhershëm dhe të tanishëm të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, i cili u bëri thirrje qytetarëve të dilnin në rrugë për t’iu kundërvënë grushtit të shtetit. Përplasjet mes forcave besnike të qeverisë dhe puçistëve përfunduan me dështimin e grushtit të shtetit.
Sipas autoriteteve turke, mbi 250 persona humbën jetën, ndërsa më shumë se 2.000 të tjerë u plagosën. Pas dështimit të puçit, autoritetet turke ndërmorën një fushatë të gjerë arrestimesh dhe shkarkimesh në ushtri, polici, gjyqësor, administratë publike, universitete dhe institucione të tjera shtetërore.
Dhjetëra mijëra persona u arrestuan, ndërsa qindra mijëra të tjerë u pezulluan ose u larguan nga detyra. Qeveria turke e ka fajësuar për organizimin e tentativës për grusht shtet klerikun Fethullah Gülen dhe lëvizjen e tij, të cilën Ankaraja e cilëson si organizatë terroriste (FETÖ).
Gülen, i cili jetonte në Shtetet e Bashkuara deri në vdekjen e tij në tetor 2024, i kishte mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirje në organizimin e puçit. Në Turqi, 15 Korriku shënohet çdo vit si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, me ceremoni përkujtimore në nderim të viktimave dhe atyre që kundërshtuan grushtin e shtetit.
