Demokratët Evropianë (EDP) kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Në reagimin e EDP-së thuhet se një deklaratë e tillë është skandaloze dhe krejtësisht e papranueshme.
“Ajo përbën një miratim të hapur të zhvendosjes me forcë, persekutimit dhe krimeve kundër njerëzimit, ndërkohë që legjitimon pikërisht politikën për të cilën u akuzua Sllobodan Millosheviqi”, thuhet në reagim.
Sekretari i Përgjithshëm i EDP-së, Sandro Gozi, i bëri thirrje presidentit serb Aleksandar Vuçiq që ta dënojë pa mëdyshje këtë deklaratë dhe të sigurojë shkarkimin e menjëhershëm të ministres. “Presidenti Aleksandar Vuçiq duhet t’i dënojë pa mëdyshje këto deklarata dhe të sigurojë shkarkimin e saj të menjëhershëm”, tha Sandro Gozi, sekretar i Përgjithshëm i EDP-së.
Në reagim më tej thuhet se Serbia nuk mund të pretendojë se është e përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërkohë që anëtarë të qeverisë së saj ringjallin retorikën dhe ideologjinë e epokës së Millosheviqit.
“Serbia nuk mund të pretendojë me bindje se është e përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE, ndërkohë që anëtarët e qeverisë së saj ringjallin retorikën dhe ideologjinë e epokës së Millosheviqit. Respekti për vlerat evropiane fillon me refuzimin e gjuhës së spastrimit etnik – pa dykuptimësi apo justifikime”, thuhet në reagimin e Demokratëve Evropianë.
