Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka dënuar ashpër deklaratën e ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”.
Në një konferencë për media në Bruksel, Kos tha se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik. “Mund të ketë vetëm zero tolerancë për deklarata të tilla. Nuk ka vend në Evropë për retorikën që justifikon, avokon apo glorifikon spastrimin etnik”, deklaroi ajo.
Komisionerja shtoi se deklarata të tilla janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe me obligimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Kos tha se pret nga liderët politikë në Serbi të veprojnë me përgjegjësi, të shmangin gjuhën nxitëse dhe të kontribuojnë në ndërtimin e besimit, pajtimit dhe stabilitetit në rajon. Deklarata e ministres serbe ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe ndërkombëtarisht, duke u cilësuar si gjuhë që nxit urrejtje dhe bie ndesh me vlerat evropiane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
