E do diellin, nuk duron ujin e tepërt dhe me një krasitje të mirë në pranverë shpërthen në lule që zgjasin nga vera deri në fund të vjeshtës Kur trëndafilat përfundojnë sezonin e tyre të lulëzimit, kopshti nuk ka pse të mbetet pa ngjyra. Pikërisht atëherë në skenë del lagerstroemia, një shkurre zbukuruese e njohur edhe si jargavani indian.
Ajo lulëzon me bollëk gjatë verës dhe, me kujdesin e duhur, i ruan lulet e saj të harlisura deri në ngricat e para të vjeshtës. Edhe pse nuk ka lidhje farefisnore me jargavanin e vërtetë, për nga bukuria dhe madhështia e lulëzimit mund t’i bëjë lehtësisht konkurrencë. Për këtë arsye, gjithnjë e më shpesh po bëhet elementi kryesor dekorativ në oborre dhe kopshte.
Lule të harlisura që tërheqin vëmendjen që në shikim të parë Lagerstroemia njihet për lulëzimin e gjatë dhe të bollshëm. Lulet e saj të mëdha, të mbledhura në tufëza, mund të jenë mjaft mbresëlënëse, ndërsa tekstura e butë, pothuajse si letër, e petaleve u jep atyre një efekt të veçantë dekorativ.
Ajo gjendet në një gamë të gjerë ngjyrash – nga e bardha dhe roza e çelët, deri te nuancat intensive rozë, vjollcë dhe vjollcë e errët. Falë kësaj larmie, përshtatet lehtë me stile të ndryshme të rregullimit të oborreve dhe kopshteve, transmeton Telegrafi.
Lagerstroemia e do diellin dhe tokën me kullim të mirë Lagerstroemia rritet më së miri në zona të ngrohta, por gjithnjë e më shpesh kultivohet edhe në saksi, sidomos në vende me klimë më të ftohtë. Gjatë verës zbukuron tarracat dhe ballkonet, ndërsa në dimër futet në një ambient të ndritshëm dhe më të freskët, ku është e mbrojtur nga ngricat.
Për rritje të shëndetshme dhe lulëzim të bollshëm, i nevojitet shumë dritë dielli dhe tokë me kullim të mirë. Ujitja duhet të jetë e matur, sepse kjo bimë nuk e duron grumbullimin e ujit rreth rrënjëve. Krasitja e rregullt sjell lulëzim edhe më të harlisur Meqenëse lagerstroemia lulëzon në lastarët e rinj, krasitja pranverore është një nga hapat më të rëndësishëm në kujdesin ndaj saj.
Duke hequr degët e vjetra, të dëmtuara dhe të dobëta, bima fiton hapësirë për të zhvilluar lastarë të rinj e të fuqishëm, mbi të cilët më vonë formohen shumë lule. Koha më e mirë për krasitje është pranvera e hershme, pasi të ketë kaluar rreziku nga ngricat dhe para se bima të hyjë në fazën e rritjes intensive.
Dekorative gjatë gjithë vitit Lagerstroemia nuk tërheq vëmendjen vetëm me lulëzimin e saj të harlisur. Në vjeshtë, gjethet marrin nuanca të ngrohta të së kuqes, portokallisë dhe të verdhës së artë, ndërsa në dimër, bimët më të vjetra zbukurohen edhe nga lëvorja dekorative, e cila zhvishet në shtresa të holla.
Falë pamjes tërheqëse gjatë gjithë vitit dhe kujdesit relativisht të thjeshtë, lagerstroemia po bëhet gjithnjë e më shumë zgjedhje e preferuar për kopshtet moderne. Ajo duket po aq bukur si bimë e vetme në lëndinë, ashtu edhe si pjesë e kompozimeve dekorative në kopsht.
