Juventusi vazhdon të kërkojë një klub të ri për Jonathan Davidin, ndërsa sipas mediave italiane, sulmuesi kanadez është më i interesuar për një kalim te Paris FC sesa te Trabzonspori.
Qendërsulmuesi iu bashkua Juventusit verën e kaluar si lojtar i lirë, por transferimi nuk ishte aspak i lirë për klubin bardhezi, pasi u paguan rreth 12.5 milionë euro në komisione dhe bonuse nënshkrimi, ndërsa lojtari përfiton një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon, plus deri në 2 milionë euro bonuse.
Megjithatë, Davidi nuk arriti të bindë në sezonin e tij të parë në Torino, duke regjistruar tetë gola dhe pesë asistime në 46 paraqitje në të gjitha garat. Sipas raportimeve, ai nuk përshtatet me stilin e lojës së trajnerit Luciano Spalletti, ndaj Juventusi është i gatshëm ta nxjerrë në shitje.
“Tuttosport” dhe “Calciomercato” raportojnë se oferta e parë konkrete ka ardhur nga Trabzonspori, por Davidi nuk është shumë i entuziazmuar për një transferim në Superligën turke. Në anën tjetër, një mundësi për t’iu bashkuar Paris FC duket më tërheqëse për 25-vjeçarin, pasi ai pati një periudhë shumë të suksesshme në Ligue 1 me fanellën e LOSC Lille.
Gjatë kohës së tij në Francë, reprezentuesi i Kanadasë realizoi 109 gola në 232 ndeshje me Lillen dhe beson se një rikthim në Ligue 1 mund ta ndihmojë të ringjallë karrierën e tij. Juventusi shpreson të arkëtojë mes 20 dhe 30 milionë euro nga shitja e Davidit, por drejtuesit e klubit janë të vetëdijshëm se edhe një huazim me të drejtë blerjeje mund të jetë një zgjidhje e mundshme.
