Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka pritur në takim përfaqësuesit e Klubit të Karatesë “Kanina”, të cilët përfaqësuan Kosovën në Kampionatin Mesdhetar të Karatesë, të mbajtur në Aleksandri të Egjiptit. Gashani vlerësoi se sukseset e sportistëve që janë krenari për Republikën e Kosovës, duke përgëzuar karateistët për rezultatet e arritura në këtë garë ndërkombëtare.
Urime të veçanta ai i adresoi Valeza Gashit, e cila fitoi medaljen e bronztë në kategorinë U21 Kumite Female -68 kg, duke ngritur flamurin e Kosovës në podium. Ministri përgëzoi gjithashtu Diellza Mahallën për renditjen në vendin e pestë në kategorinë U21 Kumite +68 kg, si dhe Dren Gashin, i cili u rendit i shtati në kategorinë U21 -67 kg.
Ai theksoi se këto rezultate janë dëshmi e talentit, punës së palodhur dhe përkushtimit të sportistëve kosovarë, ndërsa shprehu mirënjohje për trajnerët dhe Klubin e Karatesë “Kanina” për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Gashani shtoi se Ministria e Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë të mbështesë sportistët e Kosovës në rrugëtimin e tyre drejt sukseseve të reja.
