Përzgjedhja e arbitrit për gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 mes Anglisë dhe Argjentinës ka shkaktuar reagime të shumta në Britaninë e Madhe, duke rindezur teoritë për favorizim të kampionëve në fuqi të botës.
FIFA i ka besuar drejtimin e sfidës që do të zhvillohet në Atlanta arbitrit amerikan Ismail Elfath, një vendim që është komentuar gjerësisht nga mediat britanike për shkak të statistikave pozitive të Lionel Messit në ndeshjet e gjykuara prej tij.
Prej javësh, në rrjetet sociale dhe mes disa analistëve janë ngritur pretendime se Argjentina ka përfituar nga vendime të favorshme arbitrale gjatë këtij Botërori. Emërimi i Elfath ka shtuar edhe më shumë këto diskutime. “Daily Mail” e trajtoi lajmin me titullin provokues: “Lionel Messi ritakon arbitrin e tij të preferuar për gjysmëfinalen ndaj Anglisë”.
Ndërkohë, The Sun kujtoi se Elfath ishte arbitri i katërt në finalen e Botërorit 2022, ku Argjentina triumfoi ndaj Francës. Nga ana tjetër, “Daily Mirror” përdori një titull ironik: “Kërkesa e Argjentinës u pranua”, duke iu referuar edhe faktit se kombëtarja argjentinase do të rikthehet të luajë me fanellën tradicionale blu, ashtu si në Botërorin e vitit 1986.
Që prej transferimit të Lionel Messit te Inter Miami, katër ndeshjet e arbitruara nga Ismail Elfath kanë përfunduar të gjitha me fitore për skuadrën e argjentinasit, ndërsa vetë Messi ka shënuar pesë gola në ato takime. Arbitri 44-vjeçar ka drejtuar deri tani tre ndeshje në Kupën e Botës 2026: Holandë–Japoni, Spanjë–Uruguai dhe Norvegji–Brazil.
Pikërisht gjykimi i tij në sfidën mes Spanjës dhe Uruguait u kritikua nga mediat spanjolle. Mediat britanike kanë vënë në dukje edhe stilin e tij të arbitrazhit. Në tre ndeshjet e para të turneut, Elfath ka akorduar tetë kartonë të verdhë dhe një të kuq, duke u konsideruar një arbitër me qasje të rreptë disiplinore.
Për këtë arsye, futbollistët e Anglisë janë paralajmëruar të tregojnë kujdes maksimal në duelet me Argjentinën. Në një përballje të ngarkuar nga rivaliteti historik sportiv dhe politik mes Anglisë dhe Argjentinës, çdo vendim i diskutueshëm i arbitrit pritet të jetë në qendër të polemikave pas përfundimit të ndeshjes.
