Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, ka shpjeguar arsyet pse ish-presidentja Vjosa Osmani e shoqëroi kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, në takimin konsultativ për formimin e institucioneve të thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndonëse ajo nuk është pjesë e organeve të LDK-së.
Ai tha se Abdixhiku ka mandat të plotë të përfaqësimit të LDK-së, dhe si i tillë e merr këdo që e sheh të arsyeshme që mundet t’ia ‘plotësojë tavolinën e negociatave’.
“Në këtë rast e ka marrë në shoqërim bartësen e listës, që është absolutisht legjitime, sepse ka qenë – po e ritheksoj – e votuar prej Këshillit të Përgjithshëm, që është organ vendimmarrës mes dy kuvendeve”- tha ai për media. Kur u pyet se a do të jetë ajo pjesë edhe e takimeve të tjera, Ferati tha se kjo është pyetje për Abdixhikun.
Takimi me Kurtin u zhvillua pas një periudhe shumë të afërt kur Osmani nuk kishte reshtur së kritikuari qasjen e tij si kryeministër dhe pikërisht në kohën kur kreu i LDK-së po përballet me kërkesat e një pjese të anëtarësisë së partisë, për të dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit, për shkak të rezultatit jo të kënaqshëm zgjedhor.
Në vitin 2021, edhe pse ishte me numrin dy në listë, Osmani u kishte prirë edhe kandidatëve për deputetë që garonin nën akronimin e LVV-së, për shkak se asokohe Kurtit nuk iu lejua të kandidonte për deputet. Por pse u zgjodh pikërisht Osmani të ishte pjesë e bisedimeve me Kurtin, kur aktualisht nuk ka ndonjë funksion në strukturat drejtuese të LDK-së?
Përgjigjen për këtë nuk e dinë as disa nga deputetët e zgjedhur të kësaj partie. Arben Gashi, dikur shef i grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë për Kallxo.com se nuk ka informacion se në çfarë kapaciteti apo me çfarë autorizimesh ka marrë pjesë Osmani në takimin me Kurtin.
Këtë e ka arsyetuar duke thënë se nuk është i përfshirë në procesin e takimit që është zhvilluar me kryetarin e LVV-së dhe takimeve tjera që pritet të ndodhin.
I pyetur nga Kallxo.com se a e mbështet një marrëveshje potenciale që mund të arrihet mes LVV-së dhe LDK-së, ku pjesë e bisedimeve është Osmani, Gashi ka refuzuar të deklarohet duke thënë se janë çështje që duhet të diskutohen në grup parlamentar dhe më pas të merren vendimet. “Nuk dua të deklarohem për këtë çështje.
Është çështje e brendshme e partisë, për të cilën nuk mund të deklarohem momentalisht.”- ka thënë ai. Më e gjatë në përgjigje ka qenë deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri.
Për Kallxo.com ajo ka thënë se meqenëse nuk është pjesë e Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të partisë nuk e di as se çfarë kompetencash i janë dhënë Osmanit në kohën kur është votuar bashkëpunimi mes saj dhe LDK-së. Por, pavarësisht marrëveshjes që mund të arrihet me LVV-në, Ymeri thotë se çdo gjë e shqyrton para se të votoj.
“Çka unë mundem me thënë është që votën e shqyrtoj, pavarësisht prej të gjitha qëndrimeve, një deputet e shqyrton për vete votën që ka me dhënë pro, kundër ose që nuk hyn në sallë. Pra, në parim ka mundur me thënë Abdixhiku që flet në emër të 18 deputetëve, megjithatë votën e shqyrton secili deputet. Pra, po flas për vete, e shqyrtoj, e vendosi unë.”- ka deklaruar ajo.
“Ishte bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës”- ishte përgjigja e Abdixhikut më kur u pyet në lidhje me cilësinë e pjesëmarrjes së Osmanit në takimin me Kurtin.
Në zgjedhjet e fundit, të mbajtura më , LDK ka dalë partia e tretë në vend me 16.69% apo 18 deputetë, pas LVV-së që fitoi 53 deputetë dhe PDK-së që siguroi 22 deputetë. https://kallxo.com/lajm/perfaqesimi-i-mjegullt-i-vjosa-osmanit-ne-bisedimet-e-ldk-se-me-albin-kurtin
