Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka deklaruar se deri më tani nuk është dorëzuar asnjë nënshkrim brenda partisë që kërkon dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku. Ai tha se lajmet e publikuara në disa portale për një iniciativë të tillë nuk kanë pasur burime të cituara dhe se në zyrat e LDK-së nuk ka arritur asnjë kërkesë zyrtare.
“Kanë qarkulluar lajme ditën e djeshme, edhe gjatë ditës sot, nëpër portale të ndryshme, tek të cilat nuk pashë ndonjë burim të cituar të informacionit, qoftë ndonjë eksponent serioz i LDK-së, qoftë ndonjë grup serioz i LDK-së. Dhe deri më tani nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar”- tha Ferati për media më .
Në rast se do të ketë kërkesa brenda organeve të partisë, sipas tij, ato do të trajtohen sipas procedurave statutare. “Kur ka kërkesa brenda për brenda organeve të LDK-së, sigurisht që me urgjencë e me seriozitet të madh kanë me u trajtuar prej neve si parti dhe kanë me u shqyrtuar deri në realizimin përfundimtar të kërkesave që e plotësojnë shumicën e numrit të caktuar të delegatëve”- u shpreh ai.
Ferati tha se Abdixhiku nuk i është shmangur asnjëherë proceseve të brendshme demokratike në parti, duke përmendur tri kuvende të LDK-së ku ai është zgjedhur me votim të fshehtë.
“Kryetari Abdixhiku nuk është hera e parë sigurisht e s’do të jetë as e fundit, i ka tri kuvende që i ka kaluar me votë të fshehtë dhe absolutisht aspak nuk është që i ikën procedurave statutare të LDK-së”- deklaroi Ferati. Sipas tij, Abdixhiku ka kontribuar në kultivimin e demokracisë së brendshme dhe respektimin e rregullave statutare të partisë.
Ferati u bëri thirrje strukturave të partisë që debatet dhe pakënaqësitë t’i trajtojnë brenda forumeve partiake dhe jo në publik. “Mbledhja e nënshkrimeve është shprehje demokratike e një të drejte demokratike të njerëzve që kanë besim ndryshe – po e quaj kështu – siç kanë bindje ndryshe.
Nuk besoj që ka brenda për brenda LDK-së as kryetarë dege, as deputetë të zgjedhur, e as eksponentë seriozë që dëshiron me i penguar themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, qofshin ata që po i mbledhin nënshkrimet, qofshin ata që po i refuzojnë ato”- tha ai.
Si Sekretar i LDK-së, ai u bëri thirrje për qetësi delegatëve dhe kryetarëve të degëve, “që po e deklarojnë në publik situatën, me i ruajtë mendimet e tyre politike për brenda për brenda organeve të LDK-së.” “Fundja, kjo është pjesa jonë e demokracisë, kjo është e përbashkët e të gjithëve, nuk është e individëve.
Edhe këtu brenda këtyre forumeve e kemi të obliguar, edhe me statut, edhe me moral politik, që me i diskutuar çështjet të cilat neve na preokupojnë ose na shqetësojnë, e jo me i shqetësuar anëtarësinë e gjerë, të cilët janë votues që kanë besim të pathyeshëm për LDK-në deri më tani”- shtoi ai.
Nënshkrime për të thirrur Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së, në mënyrë që të fillojë procesi i votëbesimit të kryetarit të partisë, kanë filluar të mblidhen nga delegatë të partisë. Vet Abdixhiku, më pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, u pyet nëse e konsideron dorëheqjen duke qenë se kjo parti ka dalë e treta në tri palë zgjedhje me rend. “Jo.”- ishte përgjigja e shkurtër e Abdixhikut.
Dhe, derisa pas kësaj përgjigjeje po merrte një pyetje tjetër, ai iu kthye sekretarit të partisë Ilir Ferati me një të “shkelur syri”. Ndonëse zyrtarisht nuk janë dorëzuar nënshkrimet për votëbesimin e Abdixhikut, deputeti i zgjedhur Armend Zemaj në po të njëjtën ditë ka deklaruar se janë mbledhur mbi 150 nënshkrime.
“Unë i takoj një dege që ka dhënë mendim unanim që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme në të gjitha strukturat e LDK. Jo vetëm që e kam nënshkruar por janë më shumë se 150 nënshkrime që kërkojnë zgjedhje. Nuk kam njohuri a janë deponuar”- ka thënë Zemaj para gazetarëve. Lidhur me rezultatin në zgjedhjet e 7 qershorit, dorëheqjen e Abdixhikut e kanë kërkuar disa degë të partisë.
Por, pas kërkesave për dorëheqje, ai ka reaguar më në rrjete sociale. Me fjalinë “Si nuk u ngopët kurrë”, ai ka nisur kundërpërgjigjen ndaj dy bashkëpartiakëve të tij (Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit) që udhëheqin me degët e LDK-së në Pejë e Lipjan, e të cilët janë të parët që ia kërkuan dorëheqjen. Ai kishte kërkuar që këto kërkesa t’i ishin bërë ndër sy.
“Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së.”- kishte shkruar Abdixhiku.
Madje, i pari i LDK-së ka thënë se ndonëse vet e ka trajtuar dorëheqjen më 31 janar, do të pranonte menjëherë dorëheqjet e Muhaxherit dhe Ahmetit si ‘dorëheqje morale’ pas perfomancës së dobët të këtyre degëve në zgjedhjet qendrore. “E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë, që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë.
Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash.”- kishte shkruar Abdixhiku. Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja e vetme sipas deputetes së zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Këto fjalë i ka shkruar Bajrami më pasi që dorëheqja iu kërkua kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga dega e Pejës, Lipjanit dhe Degës së dytë të Prishtinës, pas rezultatit zgjedhor të kësaj partie. Bajrami ka kërkuar sjellje me dinjitet, duke shtuar se pozitat nuk janë të përhershme.
Në janarin e këtij viti u mbajt votëbesimi ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi që ai vetë e kërkoi këtë pas rezultatit zgjedhor të dhjetorit 2025. E Bajrami ka përkujtuar se edhe në janar ka thënë se përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor duhet reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme.
“Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë. Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim.”- ka shkruar Bajrami.
Ajo ka përmendur edhe rezultatin e votëbesimit, duke thënë se rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së Abdixhikut. Ky rezultat, sipas saj, është tregues se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme.
Në zgjedhjet e fundit, të mbajtura më , LDK ka dalë partia e tretë në vend me 16.69% apo 18 deputetë, pas LVV-së që fitoi 53 deputetë dhe PDK-së që siguroi 22 deputetë. Për më shumë informata:
