Analisti Xhavit Drenori ka reaguar lidhur me procesin e krijimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve, duke bërë thirrje për përgjegjësi politike dhe respektim të vullnetit të qytetarëve. Ai thekson se përgjegjësia për formimin e Qeverisë i takon partisë fituese, ndërsa zgjedhja e Presidentit kërkon përfshirjen dhe konsensusin e të gjitha subjekteve parlamentare, përcjell “Bota sot”.
Sipas Drenorit, rezultati zgjedhor ka përcaktuar qartë vullnetin e qytetarëve dhe klasa politike duhet të veprojë pa vonesa për konstituimin e institucioneve, duke vendosur interesin publik mbi kalkulimet partiake. Reagimi i plotë Për krijimin e Qeverisë përgjegjësinë e ka partia fituese, ndërsa për zgjedhjen e Presidentit përgjegjësi kanë të gjitha subjektet politike parlamentare.
Rezultati i zgjedhjeve ka përcaktuar qartë vullnetin e qytetarëve dhe tani është koha që klasa politike të veprojë me përgjegjësi, duke mundësuar sa më parë konstituimin e institucioneve të shtetit në përputhje me këtë vullnet. Për krijimin e Qeverisë përgjegjësia bie mbi partinë fituese, e cila tashmë deklaron se i ka siguruar numrat e nevojshëm për formimin e shumicës parlamentare.
Prandaj, nuk ka më arsye për zvarritje apo bllokada që dëmtojnë funksionimin e institucioneve dhe interesin e qytetarëve. Ndërkaq, zgjedhja e Presidentit të Republikës është një përgjegjësi që u takon të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Parlament.
Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese, mbi interesat partiake, me integritet të lartë moral e profesional dhe me kredibilitet shoqëror e institucional. Prandaj, Presidenti duhet të jetë një personalitet apolitik dhe konsensual, i pranueshëm, nëse është e mundur, nga të gjitha subjektet politike shqiptare të përfaqësuara në Parlament.
Vetëm një figurë e tillë mund të garantojë unitetin institucional, stabilitetin politik dhe përfaqësimin dinjitoz të shtetit. Qytetarët presin përgjegjësi, jo kalkulime politike. Është koha që mandatet e fituara nga vota e lirë të shndërrohen në institucione funksionale dhe në vendimmarrje në interes të vendit.
