Trajneri i Chelseat, Xabi Alonso, ka komentuar për herë të parë interesimin e klubit londinez për Granit Xhakën, por ka refuzuar të flasë në detaje për mesfushorin shqiptar. Alonso u pyet për Xhakën pasi dështuan përpjekjet e Chelseat për ta transferuar kapitenin e Sunderlandit në “Stamford Bridge”.
Mesfushori ishte i hapur për një rikthim nën drejtimin e trajnerit spanjoll, me të cilin kishte bashkëpunuar me sukses te Bayer Leverkuseni. Megjithatë, Sunderlandi mbajti një qëndrim të palëkundur gjatë gjithë negociatave, duke bërë të qartë se kapiteni i skuadrës nuk ishte në shitje.
Klubi anglez refuzoi të negociojë largimin e tij, pasi e konsideron një pjesë kyçe të projektit të trajnerit Regis Le Bris. Edhe pse fillimisht ishte i gatshëm të shqyrtonte mundësinë e transferimit te Chelsea, pas bisedimeve me drejtuesit e Sunderlandit ai vendosi të vazhdojë te klubi.
Mundësia për të udhëhequr skuadrën si kapiten në garat evropiane, si dhe projekti afatgjatë i klubit, ndikuan në vendimin e tij për të qëndruar në “Stadium of Light”. I pyetur për interesimin e Chelseat, Alonso u përgjigj shkurt: “Granit Xhaka? Nuk kam asnjë koment për lojtarët që nuk janë këtu me ne”.
Me këtë zhvillim, Sunderlandi e konsideron çështjen të mbyllur, ndërsa Xhaka pritet të udhëheqë skuadrën e Regis Le Bris në sezonin e ri. Xhaka iu bashkua Sunderlandit verën e kaluar nga Bayer Leverkuseni në një marrëveshje me vlerë deri në rreth 17 milionë funte dhe shihet si një nga liderët e ekipit për sezonin 2026/27, ku klubi do të rikthehet në garat evropiane./ Telegrafi
