Letër e hapur deputetëve të zgjedhur të legjislaturës së fundit

0%

Të nderuar deputetë të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, po ju drejtohem me këtë Letër të hapur, i zhgënjyer me deklaratat e liderëve pas takimeve të fundit, në lidhje me formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Deklarata të ngjashme kishim edhe me rastin e takimeve që rezultuan me zgjedhjet paraprake.

Jam më se i bindur se për të evituar shkuarjen në zgjedhje të sërishme, ju deputetë të nderuar duhet të përmbushni detyrat në frymën e Kushtetutës, e jo të abuzoni duke shfrytëzuar precedentin nga Aktgjykimi në rastin nr.

KO 29/11 lidhur me zgjedhjen e Presidentit, të datës , i cili me fakte bindëse, përmes Mendimit mospajtues, është kundërshtuar nga dy gjyqtarët e jashtëm të Gjykatës Kushtetuese.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Po përsëritet bllokimi i ngjashëm me bllokimin në rastin e konstituimit të Kuvendit, që gjithashtu ndërlidhej me precedentin nga shumica e gjyqtarëve të Gjykatë Kushtetuese, të kundërshtuar gjithashtu nga gjyqtari i jashtëm, në Aktgjykimin për rastin nr. KO 119/14.

Në të dy rastet, me një interpretim sistematik dhe sidomos teleologjik, gjyqtarët e jashtëm e kanë parashikuar bllokimin por edhe mashtrimin (sham) dhe përqeshjen (mockery), sepse, sipas tyre, po citojë: “Ky interpretim do të krijonte mashtrim dhe përqeshje të sistemit zgjedhor për zyrën më të lartë të zgjedhur në Kosovë.” (faqe 152 e Buletinit 2011/shq. të Gjykatës Kushtetuese).

Edhe juve ju duket shtirje ose mashtrim kur nënshkruheni në listën e dytë me 30 deputetë të tjerë që të mbështetni kandidatin tjetër, por që më pas votoni për kandidatin e pëlqyer. Kujtoni sa vota i kanë marrë kandidatët “fiktiv” në rastet e zgjedhjeve të Presidentëve të deritashëm.

Sa i takon përmbushjes së kërkesës për kuorum që një vendim të jetë i vlefshëm, sipas nenit 69.3 të Kushtetutës dhe sipas gjyqtarëve të jashtëm të Gjykatës Kushtetuese, e njëjta plotësohet kur në seancë të Kuvendit janë të pranishëm më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve.

Kjo dispozitë vlen për të gjitha rastet, përveç rasteve kur në Kushtetutë në mënyrë specifike për marrjen e një vendimi kërkohet një shumicë më e madhe. Aty ku Kushtetuta specifikisht përcakton që nevojitet një numër më i madh i deputetëve, atëherë shumica e kërkuar e përcakton kuorumin e nevojshëm.

Prandaj, sipas gjyqtarëve Robert Carolan dhe Almiro Rodrigues, ka një dallim ndërmjet “kuorumit” dhe “votimit” dhe aspektit se si mund të ndryshojnë rregullat për secilin prej tyre. Sipas mendimit mospajtues të tyre, hartuesi i Kushtetutës e ka bërë këtë dallim, sepse neni 86.5 lejon numër të ndryshëm të votave për të zgjedhur Presidentin në votimin e tretë.

Keqinterpretimet dhe keqleximet janë të pashmangshme kur, përveç tjerash, bëhen gabime në përkthim të fjalëve kyçe, siç është rasti me fjalën në anglisht “any”, në nenin 86.5 të tekstit të Kushtetutës, e cila në gjuhën shqipe përkthehet “asnjëri”, e jo “ndonjë”, apo “cilido”, siç do të ishte përkthimi korrekt, sepse sipas të gjithë fjalorëve, fjala korrekte “ndonjë” do të thotë “një apo më shumë“.

Një përkthim i gabuar i të njëjtës fjalë përmendet edhe në Aktgjykimin KO 29/11. Se sa e rëndësishme është kjo fjalë shihet nga konkludimi i gjyqtarëve shumicë, që mbivotuan gjyqtarët e jashtëm, sipas të cilit “nuk mund të zgjidhet një kandidat pa asnjë konkurrent.” Sikur të qëndronte kjo, theksojnë dy gjyqtarët e përmendur kundërshtues, hartuesit do të ndalonin në mënyrë specifike zgjedhjen me vetëm një kandidat, nëse ky do të ishte qëllimi i tyre.

Përkundrazi, sipas tyre, qëllimi kryesor i dispozitave të Kushtetutës është garantimi i funksionimit të rregullt të institucioneve dhe sigurimi i stabilitetit politik. Të nderuar deputetë, besoj se edhe ju jeni të vetëdijshëm se shkuarja në zgjedhje për shkak të mosvotimit të Presidentit ishte pasojë e mungesës së vullnetit për tu përcaktuar gjatë votimit.

Nëse edhe në legjislaturën e re vazhdoni të mos merrni pjesë në votim në zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, është evidente se përsëritja e zgjedhjeve bëhet e pashmangshme. Profesori amerikan Edward P.

Joseph, vlerësoi me të drejtë se përgjegjësia për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë bie mbi të gjithë liderët politikë, dhe jo vetëm mbi Kryetarin e VV-së, sepse bëhet fjalë për një vendim parlamentar që në rast të dështimit, dëmtohet rëndë vendi.

Nëse PDK-ja e ka kuptuar drejtë mesazhin nga votuesit që të qëndrojë në opozitë, mendoj se rolin e tillë kjo parti nuk duhet ta ushtrojë kryesisht duke bllokuar por, përkundrazi, duke kontrolluar punën e Qeverisë.

Partitë që nuk morën pjesë në votim në legjislaturën e kaluar shfrytëzuan precedentin e krijuar me Aktgjykimin KO 29/11, me të cilin kërkohet kuorumi prej dy të tretave, dhe në këtë mënyrë u krijua mundësia që një pakicë e së paku 41 deputetëve t’ia pamundësojë shumicës së mbetur të zgjedh Presidentin.

Prandaj për të evituar ngërçet absurde që për pasoj, përveç tjerash, kishin edhe mosdaljen e një numri të madh të votuesve në zgjedhjet rezultatet e të cilave sapo u certifikuan, hapi i parë që duhet ndërmarrë është të inicohen raste nga palët e autorizuara në mënyrë që të rishqyrtohen interpretimet e tilla, që jam thellësisht i bindur se janë të gabuara.

Burimi: Bota Sot