Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka vendosur të prishë vendimin për sekuestrimin e pasurive të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe ta kthejë çështjen për rigjykim në Apelin e Posaçëm. Vendimi është marrë këtë të enjte nga gjyqtari Gent Shala, i cili ka rrëzuar vendimin e mëparshëm të gjyqtarit Dhimitër Lara për sekuestrimin e tre pasurive të Ahmetajt.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, dosja do të shqyrtohet sërish në Apelin e Posaçëm nga një trupë tjetër gjyqësore. Me këtë vendim, procesi rikthehet në fazën e rigjykimit, ku do të rishqyrtohen rrethanat dhe argumentet që lidhen me sekuestrimin e pasurive.
Vendimi përbën një zhvillim të rëndësishëm në procesin gjyqësor ndaj Ahmetajt, ndërsa pritet që Apeli i Posaçëm të caktojë datën për shqyrtimin e ri të çështjes.
