Kallas: Kandidati për përfaqësues të lartë në Bosnje duhet të

0%

Këshilli i Punëve të Jashtme i Bashkimit Evropian (BE) diskutoi të hënën gjatë një takimi për Ballkanin Perëndimor, dhe në veçanti Bosnje e Hercegovinën dhe çështjen e zgjedhjes së përfaqësuesit të ri të lartë në vend.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, njoftoi ministrat e Jashtëm rreth vizitës së saj në Bosnje e Hercegovinë më 2 korrik, si dhe rreth përparimit drejt emërimit të një përfaqësuesi të ri të lartë. “Jemi të vendosur ta kemi një kandidat evropian që mund të ndihmojë në afrimin e vendit me Bashkimin Evropian.

Në fund të fundit, suksesi i përfaqësuesit të lartë do të matet nga dita kur ky pozicion nuk do të jetë më i nevojshëm”, tha Kalas pas takimit të ministrave. Ajo nuk dha hollësi të mëtejshme rreth përmbajtjes së bisedimeve për Bosnje e Hercegovinën. Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq Radman, tha se përfaqësuesi i ri i lartë duhet të jetë një njeri që e njeh mirë gjendjen në rajon.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai vlerësoi se kandidati duhet të ketë njohuri, ekspertizë dhe aftësi dialogu, si dhe të jetë i vetëdijshëm për rolin e tij, pasi, siç tha ai, përfaqësuesi i lartë është garantuesi i zgjidhjeve dhe vendimeve që kontribuojnë në funksionalitetin e Bosnje e Hercegovinës. “Kur roli i tij të mbarojë dhe kushtet të përmbushen, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë do të mbyllet.

Bashkimi Evropian dëshiron një Bosnje e Hercegovinë në të cilën udhëheqësit politikë vendas do të marrin vendimet e tyre. Sot kemi një situatë sui generis në të cilën përfaqësuesi i lartë ka marrë vendime në vend të udhëheqësve politikë për 30 vjet”, vlerësoi Radman.

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë e ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe të sigurojë që institucionet shtetërore funksionojnë sipas saj. Atë e emëron Bordi Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), ndërsa, më pas, ai konfirmohet edhe nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

PIC nuk arriti marrëveshje në mbledhjen e 30 qershorit, ndërsa synimi është që emërimi të bëhet deri më 14 korrik. Procesi po zhvillohet mes mospajtimeve ndërmjet SHBA-së dhe BE-së për kandidatin dhe të ardhmen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnje e Hercegovinë.

Deri në arritjen e një marrëveshjeje, PIC ka emëruar diplomatin amerikan, Louis Chrishock, si përfaqësues të përkohshëm të lartë. Gjatë vizitës në Sarajevë në fillim të korrikut, Kallas tha se BE-ja po punon për të propozuar një kandidat dhe theksoi se stabiliteti, sovraniteti dhe integriteti territorial i Bosnje e Hercegovinës kanë rëndësi strategjike për Bashkimin Evropian.

Bordi Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) është mbledhur dy herë gjatë qershorit në përpjekje për të zgjedhur pasuesin e Schmidtit, por nuk ka arritur konsensus. Shtetet e Bashkuara mbështesin diplomatin italian, Antonio Zanardi Landi, ndërsa disa vende të Bashkimit Evropian favorizojnë diplomatin francez, Rene Trocaz.

Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se vazhdon të punojë për arritjen e një konsensusi rreth kandidatit italian, duke theksuar mbështetjen për integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe Marrëveshjen e Dejtonit. Uashingtoni, njëkohësisht, ka thënë se pret që vendet evropiane të arrijnë së shpejti pajtim për emërimin e përfaqësuesit të ri të lartë. / REL

Burimi: Bota Sot