Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) më përmes një reagimi ka thënë se ka pranuar me seriozitet shqetësimet e ngritura publikisht lidhur me përvojën e një familjeje gjatë trajtimit të fëmijës së tyre në Klinikën e Pediatrisë.
Sipas njoftimit, për këtë arsye, drejtori i QKUK-së ka marrë vendim për formimin e një komisioni ad-hoc, i cili po zhvillon një hetim të plotë administrativ për të verifikuar të gjitha rrethanat e rastit.
“Hetimi do të përfshijë shqyrtimin e pretendimeve lidhur me trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, si dhe çdo lëshim eventual, nga ato menaxheriale deri te ato teknike” – thuhet në reagim.
Ndërsa thuhet se sa u përket parregullsive të konstatuara menjëherë gjatë verifikimeve të kryera nga QKUK, përfshirë ato që pasqyrohen edhe në fotografitë e publikuara, janë dhënë vërejtje ndaj personave përgjegjës në zinxhirin hierarkik menaxherial, si dhe është suspenduar përkohësisht punëtori i shërbimeve teknike.
“Ndërkaq, për të mundësuar zhvillimin e paanshëm të hetimit administrativ lidhur me pretendimet për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, janë ndërmarrë masa të përkohshme administrative ndaj katër (4) infermierëve”- thuhet tutje në njoftim.
Tutje thuhet se pas përfundimit të hetimit administrativ, QKUK do ta informojë publikun për gjetjet e komisionit si dhe për masat që do të ndërmerren, me synim forcimin dhe ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike shëndetësore.
Aktivistja Aulonë Memeti më ka publikuar disa fotografi që paraqisnin kushtet brenda Klinikës së Pediatrisë, ku ka thënë se po qëndron bashkë me djalin e saj, i cili po merr trajtim mjekësor. Ajo përmes fotove ka treguar për gjendjen brenda dhomës ku janë vendosur. “Shtrati ku duhej të shtrihej fëmija ynë kishte njolla të shumta.
Disa prej tyre dukeshin si gjak apo mbetje të vjetra biologjike. Nuk e di çfarë ishin. Më mirë të mos e dimë. Kërkuam çarçaf. Nuk kishte”- ka shkruar ajo ndër te tjera.
