Rezoluta e Autoritetit të Mediave Audiovizive në Kuvend, deputetja

0%

Deputetja socialiste, Romina Kuko, ka folur për rezolutën e Autoritetit të Mediave Audiovizive në Parlament, duke e përgëzuar për punën e saj AMA-n. Ajo tha se Digital Services Act (DSA), në kuadër të Kapitullit 10 të negociatave me BE-në, është urgjencë. “Falenderoj AMA-n për punën e bërë. Sfidat janë të mëdha, dhe rekomandimet e sotme do ta përmirësojnë kuadrin.

Por realiteti ku jetojmë sot është ky: pjesa dërrmuese e dëmit nuk ndodh më në ekranin televiziv. Ndodh online, ku diskursi ka kaluar prej kohësh në agresion të hapur. Ne kontrollojmë cilësinë e ushqimit që hamë, ajrin që thithim, ujin që pimë. Çdo gjë që hyn në trupin e fëmijëve tanë e kemi rregulluar me ligj e me institucion mbikëqyrës.

Por mbi atë që ushqen mendjen e tyre çdo ditë, çdo orë, sot s’kemi asnjë kontroll. Përtej edukimit, që kërkon kohë dhe durim, sepse shumë veta ende ngatërrojnë lirinë e fjalës me lirinë për dhunë, përgjegjësia duhet të bjerë mbi platformat. Digital Services Act, në kuadër të Kapitullit 10 të negociatave me BE-në, është urgjencë. Qeveria po punon për transpozimin e saj.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Na duhet gjithashtu ligj kombëtar dhe një Koordinator Kombëtar i Shërbimeve Dixhitale, siç e ka çdo shtet europian. Sot platformat reagojnë vetëm mbi bazë vullnetare. S’kemi detyrim ligjor për të identifikuar nëse profile të caktuara janë burim botësh false, trollash, ushtri të krijuara për të formuar opinion, për të shpërndarë panik, apo për të vrarë personazhe apo biznese.

Kjo është armë e luftës hibride online, dhe përgjegjësia për të është e vetë platformave. Ligji duhet ta thotë këtë qartë, jo ta lërë në duart e proceseve gjyqësore që zgjasin me vite, ndërkohë që dëmi tashmë është bërë. Dhe këtu dua të jem krejt e qartë, sepse kjo është linja ime, dhe s’kam ndërmend ta zbut.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka thënë prej vitesh: portalet online kanë detyrim ligjor të moderojnë komente që bëjnë thirrje për dhunë ose për akte terroriste. Si detyrim!

Hapni sot cilindo portal me lajme kontroversiale dhe shikoni se çfarë ndodh te komentet poshtë artikullit: njerëz me qëndrime të forta, që thjesht bien ndesh me opinionin e disave, dënohen çdo ditë me “vdekje karakteri” , me linçim publik të organizuar, sistematik, të pandëshkuar. Dhe përgjegjësia për këtë s’shkon vetëm te komentuesi anonim.

Shkon edhe te vetë platforma që e lejon, e nuk e modereon, sepse çdo klikim shtesë i sjell fitim. Liria e fjalës është e shenjtë por nuk do të fshihemi më prapa lirisë së fjalës kur ajo përdoret si mburojë për dhunë të organizuar. Liria e fjalës ka qenë gjithmonë e shoqëruar me përgjegjësi, është vetë thelbi i së drejtës europiane për të cilën po flasim sot.

Dhe hallka më e dobët mbeten të miturit. Statistikat s’lënë vend për debat: sipas Policisë së Shtetit, rastet e referuara të dhunës online kundër fëmijëve u shtuan nga 122 në 2021 në 461 në 2024. Vetëm te iSIGURT.al, gjatë 2025-ës, patëm 615 raportime, 46% më shumë se një vit më parë, 71% vajza, 82% e rasteve në TikTok. Prapa çdo shifre është një fëmijë, një familje.

Australia ka ndaluar tashmë aksesin e të miturve në rrjete sociale. Britania e Madhe po e konsideron seriozisht. Ne s’e kemi hapur ende këtë diskutim por është urgjencë ta hapim, të paktën për të filtruar përmbajtjen drejt platformave ku fëmijët janë masivisht të pranishëm. Ekziston sot një marrëveshje vullnetare mes operatorëve të telefonisë.

Kjo marrëveshje duhet sanksionuar me ligj, me rol të qartë për AKEP-in. Propozoj konkretisht: numrat e përdorur nga të miturit të regjistrohen nën një regjistër të veçantë, me internet të kufizuar sipas moshës , duke ruajtur privatësinë e regjistrit por si detyrim ligjor për prindërit, jo si opsion.

S’do të lejonim kurrë që një i panjohur me qëllime të këqija t’i afrohej fëmijëve tanë për t’i helmuar mendjen me informacion të papërshtatshëm. Pse duhet ta lejojmë këtë në internet? Përgjegjësia bie mbi individët por mbi të gjitha mbi platformat ”, tha Kuko.

Burimi: Bota Sot