Mesfushori i Spanjës, Rodri, ka vlerësuar maksimalisht Francën në prag të gjysmëfinales së Kupës së Botës 2026, duke e cilësuar atë si kundërshtarin më të fortë me të cilin “Furia e Kuqe” është përballur deri më tani në turne. Rodri theksoi se Franca është skuadra më në formë e Botërorit, duke veçuar jo vetëm cilësinë në repartin ofensiv, por edhe organizimin e saj në mbrojtje.
“Mezi e pres këtë ndeshje. Është testi ynë më i madh, përballë ekipit më në formë të Kupës së Botës. Kanë një sulm të jashtëzakonshëm, por ajo që më impresionon më shumë është mënyra se si mbrohen si skuadër” , deklaroi Rodri. Mesfushori spanjoll u ndal edhe te bashkëlojtari i tij, Lamine Yamal, për të cilin tha se po tregon pjekuri të jashtëzakonshme pavarësisht moshës së re.
“Ai është jashtëzakonisht i pjekur për moshën që ka. Dëgjon gjithmonë këshillat, është shumë inteligjent dhe dëshiron të përmirësohet vazhdimisht. E vetmja gjë që i them është të mos dorëzohet kurrë dhe të vazhdojë të provojë”, u shpreh ai. Rodri kujtoi gjithashtu sukseset e fundit të Spanjës ndaj Francës, por theksoi se gjysmëfinalja e Botërorit është një sfidë krejtësisht ndryshe.
“I kemi mposhtur në dy gjysmëfinalet e fundit dhe e dimë si t’i përballojmë. Por kjo është gjysmëfinale e Kupës së Botës, ku emocionet ndryshojnë gjithçka”, përfundoi mesfushori spanjoll. Franca dhe Spanja do të përballen nesër për një vend në finalen e Kupës së Botës 2026, në një duel që konsiderohet nga shumë si “finale para finales”.
